Izraeli është në prag të një tronditje të fortë politike, ndërsa partia qeverisëse kërkon që të miratojë legjislacion që do të lejonte krijimin e komuniteteve vetëm izraelite, diçka që kritikët e cilësojnë si fundi i shtetit demokratik. Gjatë 5 viteve të fundit, politikanët kanë debatuar ashpër për detajet e ligjit që ka status të ngjashëm me kushtetutën dhe që Benxhamin Netanjahu kërkon të miratohet këtë muaj. Projektligji kontrovers e lejon shtetin që të autorizojë një komunitet të përbërë nga njerëz me të njëjtin besim fetar dhe kombësi që të ruajnë karakterin ekskluziv të komunitetit. Legjislacioni i propozuar, në formën aktuale, gjithashtu lejon implementimin e ligjit fetar hebraik në disa raste dhe eliminon arabishten si gjuhë zyrtare.
“Në demokracinë izraelite ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e individit dhe të grupit, kjo është e garantuar. Por edhe shumica ka të drejta dhe shumica sundon”, deklaroi kryeministri Netanjahu më herët.
Vota për ligjin pritet javën e ardhshme, megjithëse drafti final ende nuk është gati. Kritikët e kanë krahasuar ligjin me aparteidin në Afrikën e Jugut dhe protestat ndaj tij nuk kanë munguar. Kundër detajeve të ligjit janë shprehur edhe presidenti i vendit dhe Prokurori i Përgjithshëm.
Kritikët thonë se ligji lejon krijimin e zonave të ndara bazuar në racë, fe apo kombësi dhe kjo është e papranueshme. Një pjesë e analistëve thonë se ligji me titullin Izraeli si ‘komb shtet për popullin hebre’ është mjaft i qartë në qëllimin e tij, ndërsa anëtarët e partisë “Likud” të Kryeministri, kanë akuzuar Presidentin e Prokurorin e Përgjithshëm që kanë harruar ADN-në e tyre përderisa kundërshtojnë ligjin.