Në samitin në Helsinki, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, u zotuan se kanë ndërmarrë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.
Në konferencën për gazetarë, Trump hodhi dyshime mbi konstatimet e agjencive të tij të inteligjencës për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe u duk se pranoi këmbënguljen e Putinit se duart e Rusisë janë të pastra, transmeton REL.
“Kam shumë besim te njerëzit e mi të inteligjencës, por dua t’ju them se presidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fuqishëm në mohimin e tij sot. Nuk shoh ndonjë arsye që Rusia të ketë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016”, tha Trump.
Ligjvënësit amerikanë, përfshirë republikanë dhe demokratë, e kritikuan fuqishëm Trumpin për këto deklarata, duke thënë se paraqitja e tij në konferencën për media ka qenë “bizare”, “e turpshme” dhe “tradhti tronditëse ndaj detyrave të tij”.
Richard Burr, kryetari republikan i Komitetit të Senatit për Inteligjencë, tha se Trump duhet ta pranojë si “gënjeshtër” çdo deklaratë të Putinit, që mohon se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan, tha se “nuk ka dyshim se Rusia” ka ndërhyrë në zgjedhje dhe se Trump “duhet të vlerësojë se Rusia nuk është aleat i Amerikës”.
“Nuk ka ekuivalencë morale midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbetet armiqësore ndaj vlerave dhe idealeve tona”, tha Ryan.