Ballina Bota DENUKLEARIZIMI I KORESË, TRUMP: NUK KEMI PSE TË NXITOHEMI

DENUKLEARIZIMI I KORESË, TRUMP: NUK KEMI PSE TË NXITOHEMI

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se nuk ka një limit kohor për denuklearizimin e Koresë së Veriut dhe se procesi nuk duhet të sforcohet.

Kjo përbën një zbutje të tonit të Trump, që më herët kishte thënë se çarmatimi bërthamor do të nisë shumë shpejt. Muajin e kaluar, Presidenti amerikan dhe lideri i Koresë së Veriut mbajtën një takim historik dhe premtuan se Gadishulli Korean do të denuklearizohej. Marrëveshja nuk përmbante afate kohore për procesin dhe as mënyrat se si do të kryhej ai.

Që nga takimi mes Trump dhe Kim, më 12 qershor, ka pasur pak progres drejt denuklearizimit. Javën e kaluar, Koreja e Veriut akuzoi SHBA-në se po bënte kërkesa në stil gangsterësh për procesin dhe e quajti sjelljen amerikane në nivelet më të larta të bisedimeve, si shqetësuese.

Trump ndërkohë, tha të martën se bisedimet me Penianin po shkonin mirë: “Nuk kemi limite kohore, nuk kemi limit shpejtësie. Diskutimet vazhdojnë dhe vazhdojnë shumë mirë. Sanksionet janë ende në fuqi, pengjet janë kthyer. Nuk ka pasur testime të reja, nuk ka pasur asnjë raketë prej nëntë muajsh dhe unë mendoj se marrëdhëniet janë shumë të mira, ndaj duhet të presim dhe të shohim se si do të shkojë”.