Në bregun e liqenit në Strugë edhe më tej vërehen varka me pedale, edhe pse autoritetet lokale në fillim të verës morën vendim për largimin e tyre, për shkaqe sigurie. Ajo që bie në sy është se në këto varka voziten edhe persona të mitur ose në një varkë me pedale argëtohen më shumë persona përnjëherë.
Qytetarët konsiderojnë se duhet të rritet niveli i sigurisë në liqenin e Ohrit dhe të ketë masa më të rrepta për shfrytëzimin dhe dhënien me qira të varkave me pedale.
“Varkat janë një lloj atraksioni, por siguria duhet të jetë në nivel. Të ketë rripa ndërsa fëmijët e mitur të mos jenë vet pasi largohen dhe kërcejnë prej tyre”.
Pronarët e varkave kohëve të fundit kanë protestuar, duke kërkuar nga autoritetet lokale që të rishqyrtojnë ndalesën, pasi shumë prej tyre, ekzistencën e nxjerrin pikërisht nga objektet e lundrimit. Lidhur me prezencën e varkave në Strugë, nga komuna nuk morëm përgjigje pse vendimi për ndalesën e tyre nuk zbatohet në tërësi, edhe krahas deklaratës së kryetarit të komunës Merko, se të gjitha varkat me pedale do të largohen.
Miki Trajkovski