Ushtarakët e fuqishëm iranianë kërcënojnë Amerikën: “Hajdeni, ne jemi gati!”
Shtetet e Bashkuara sapo kanë mbyllur një front konfrontimi me Korenë e Veriut e tani duket se po çelin një tjetër. Pas paralajmërimeve të Presidentit Hasan Rouhani, janë njësitë elitë të Republikës Islamike ato që i dërgojnë një mesazh të fortë Uashingtonit, transmeton TCH.
Ndërhyrja e shefit të këtyre njësive, Kassim Soleimani, në një debat të cilin e ka shmangur deri më tani, të paktën publikisht, shihet si një moment që nuk duhet anashkaluar.
“Ne jemi fare pranë, madje atje, ku nuk na prisni. Hajdeni! Jemi gati. Po ta nisni ju luftën, ne do ta përfundojmë”, mësohet të ketë thënë Soleimani sipas radiostacionit iranian Al Alam, të cituar nga revista Spiegel.
Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, do ta njohin fuqinë e vendit dhe sidomos aftësinë e tij për luftë asimetrike. Soleimani drejton brigadën Kuds, e cila si njësi elitare ka detyrat e një shërbimi informativ.
Përgjigjja e ushtarakut me rang të lartë ka lidhje me reagimin e Presidentit Trump ndaj fjalimit të së martës të Presidentit iranian Rohani. Në të, Rohani i pati paralajmëruar SHBA për “nënën e të gjitha betejave”.
Që prej marrjes së postit, Trumpi e ka kërcënuar vazhdimisht lidershipin iranian dhe në muajin maj njoftoi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja atomike me regjimin e ajatollahëve.