Vanuatu ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka evakuuar mijëra banorë pasi një vullkan në ishullin Ambae shpërtheu duke mbuluar pjesën më të madhe të zonës përreth me hi. Zyrtarët thanë se qeveria kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe kishte urdhëruar evakuimin e detyrueshëm të të gjithë popullatës së ishullit.
Ambae, që ndodhet në grupin verior të ishujve që përbëjnë shtetin e Vanuatus në paqësor, është pjesa e dukshme e vullkanit masiv Manaro Voui, një nga më aktivët në botë. E gjithë popullata e ishullit, prej rreth 11 mijë banorësh, u evakuua në shtator 2017, kur vullkani nisi shpërthimet. Nuk është e qartë se sa persona u rikthyen në shtëpitë e tyre në muajt pas evakuimit.Të enjten, banorët e ishullit thanë se hiri ishte aq i dendur sa që kish bllokuar tërësisht diellin. Foto dhe pamje video tregonin peizazhin e mbuluar nga një shtresë e trashë hiri.
Qeveria ka dhënë një afat dy mujor për evakuimin e popullatës. Ambae ndodhet në unazën e zjarrit të paqësorit, një zonë me aktivitet intensiv sizmik që shtrihet për 40 mijë kilometra gjatësi nga Zelanda e Re në Amerikën e Jugut.