“Të akuzuarit kanë kryer terrorizëm verbal por jo vepra praktike terroriste”. Këto ishin disa nga fjalët hyrëse në gjykim të avokatit Donço Nakov i cili mbron 4 nga të akuzuarit për 27 prillin në mesin e të cilëve deputetin Luben Arnaudov, dhe organizatorët e protestës Bogdan Ilievski dhe Vllado Jovanovski. Ai thotë se asnjëri prej klientëve të tij nuk ka kryer vepër dhune ose të rrezikshme dhe as nuk kanë pasur motiv dhe qëllim për terrorizëm. Nakov është edhe avokat i ish sigurimit të Kuvendit Abdylfetah Alimi. Për Luben Arnaudovin tha se është një gjinekolog i suksesshëm dhe deputet i zgjedhur nga shumica. Për Vllado Jovanovski tha se është nje artist i suksesshëm dhe një njeri familjar. Për Bogdan Ilievski tha se është një arkitekt i suksesshëm ndërsa për Abdylfetah Alimi tha se ështe një polic i thjeshtë i cili i ka shpëtuar jetën deputetit Sela dhe se ky i fundit ka garantuar që AbdulFetahu nuk do të arratiset. Prandaj tha se përmes fakteve do të vërtetojë që klientët e tij nuk kanë lidhje me dhunë.
Edhe avokati Elenko Millanov i cili mbron të akuzuarit Lupço Dimovski, Igor Durllovski dhe Munir Pepiq thotë se klientët e tij janë të pafajshëm dhe se do të vërtetojë se nuk kanë kryer vepër penale.
Nëse kemi vepër terroriste, atëherë kemi veprim terrorist për 1 mijë, 2 mijë, apo 3 mijë, aq sa ishin prezent në Kuvend. Nuk mundet prokuroria ta ndajë atë dhe për njerëz të caktuar të ngre akuzë për cenim terrorist, kështu siç është kjo aktakuzë. Ndërsa Prokuroria që është organi i vetëm me hierarki të rreptë, në të gjitha lëndët e tjera dhe personat e tjerë që kanë aktvendime të plotfuqishme dhe jo të plotfuqishme për veprim të dhunshëm, të mos i trajtojë si kryerës të një vepre të këtillë penale- deklaroi avokati Elenko Millanov.
Ndërkohë në fillim të seancës avokatja Pavlinka Zefiq u ankua deri tek gjykatësja Dobrilla Kacarska se të akuzuarit nuk trajtohen si duhet para sjelljes së tyre në gjykatë. Shton se atyre nuk u ofrohet ushqim dhe ujë duke e konsideruar këtë një keqtrajtim pasi seancat zgjasin me orë të tëra.
Seanca e djeshme u shoqërua me reagimin e 100 qytetarëve që qëndronin jashtë gjyqit ndërsa sot vërehej një numër shumë i vogël i mbështetësve të të akuzuarve.
Elemdina Aliji