Kosova i rrëmben një lojtar me prespektivë Zvicrës. Bëhet fjalë për Florent Hadërgjonaj. 24-vjeçari i cili prej dy sezon është pjesë e Huddersfield Town në Premier League është pajisur me pasaportë kosovare. Hadërgjonaj e ka nisur karrierën te Young Boys në Zvicër ndërsa më pas u transferua në Gjermani te Ingolstadt që bleu për 2 milionë euro dhe e shiti te Huddersfield mbrojtësin e krahut të djathtë për 5 milionë euro.
Hadërgjonaj është aktivizuar me 21-vjeçarët e Zvicrës ndërsa ka luajtur edhe me përfaqësuesen A në një takim miqësor. Tashmë do të jetë në dorë të trajnerit Bernard Challandes nëse do ta grumbullojë ose jo lojtarin për sfidat e muajit qershor. Një ndihmë FFK-së për pajisjen e Hadërgjonaj me pasaportë shqiptare ja dha vëllai i Xherdan Shaqirit, Erdini.
Postimi i plotë i FFK-së:
Futbollisti i spikatur, Florent Hadërgjonaj, pjesë e skuadrës së Ligës Premiere të Anglisë, Huddersfield Town, sot, është pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës. Në këtë ditë të veçantë për vetë futbollistin, por edhe për Kombëtaren e Kosovës, afër futbollistit ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e ka uruar Florentin për pajisjen me pasaportë të Kosovës dhe njëherësh e ka përgëzuar dhe falënderuar për vendimin e marrë që kontributin e tij tash e tutje ta japë në fanellën e Kombëtares së Kosovës, e cila është shndërruar në simbol suksesi. Presidenti Ademi, po ashtu ka falënderuar edhe menaxherin e futbollistit, Erdin Shaqirin, që po ashtu kontribuoj në ardhjen e tij në Kombëtaren e Kosovës.
Mbrojtësi 24-vjeçar tashmë është në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes dhe pa dyshim do të jetë një armë shumë e fortë në repartin e mbrojtjes për ndeshjet e ardhshme të ciklit kualifikues për Euro 2020.
Florenti deri tash ka luajtur me të gjitha ekipet e grupmoshave të Kombëtares së Zvicrës, por në fund vendosi me zemër që t’i bashkohet ekipit të Dardanëve, fanellë të cilën e ndjenë më shumë dhe aty ku emocionet janë të papërshkrueshme.
Florent Hadërgjonaj në këtë edicion të Ligës Premiere ka luajtur në 24 ndeshje me Huddersfieldin, 19 prej të cilave ka qenë titullar, derisa në fushën e gjelbër i ka kaluar 1840 minuta.
Mirë se vjen në folenë Dardane, Florent Hadërgjonaj!
Vazhdojmë me Krenari dhe Përgjegjësi…