Për Fatmir Mediun, Edi Rama duhet të largohet nga drejtimi i vendit, pasi nuk ka zbatuar asnjë pikë nga ajo që ai quan “kontratë me qytetarët”.
Sipas kreut të Partisë Republikane, palët politike duhet të ofrojnë sa më shpejt një zgjidhje të përkohshme, por edhe afatgjatë, në mënyrë që të shmanget përsëritja e problemeve të tilla dhe përshkallëzimi deri në konflikt.
“Unë mendoj që duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme lokale dhe parlamentare, ndoshta pas gjashtë muajsh. Dhe këtë periudhë gjashtëmujore duhet të kemi një qeverisje që përbëhet nga figura që kanë pasur autoritetin për të kontestuar të keqen brenda forcës së tyre politike, por edhe që kanë qenë me një eksperiencë politike të vlefshme që mund të garantonin një marrëdhënie të qëndrueshme të të dy krahëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.
Po cilët mund të jenë këta përfaqësues nga ana e shumicës dhe opozitës? “Po ju them disa emra, Arben Malaj, Arta Dade, Ylli Bufi, Rexhep Mejdani, Besnik Mustafaj, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj. Pra ka shumë autoritete të cilat besoj kanë frymën dhe interesin për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të garantuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe i kanë shërbyer me sinqeritet interesave të vendit. Këta janë elementë që e tejkalojnë interesin e palëve. Përveç kësaj, mendoj që Shqipëria ka autoritete dhe figura të rëndësishme nga bota akademike dhe intelektuale, që nuk kanë lidhje apo interesa qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë kriminale. Janë njerëz që ndoshta nuk kam dakordësinë politike, por nuk mund të mos kem vlerësim për integritetin e tyre politik dhe kontributeve të tyre”, thotë Mediu, i ftuar në A2CNN.
Kreu i Partisë Republikane tregon edhe mbi atë që pritet të ndodhë sot në protestën e opozitës. “Do të jetë një marshim kundër dhunës së Qeverisë. Nuk duhet konceptuar vetëm si dhuna që ndodhi me Sahit Dollapin apo ndaj protestuesve të tjerë. Dhunë do të thotë që t’i ngushtosh liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhunë do të thotë që shteti të kontrollojë të gjithë burimet ekonomike për interesa korruptive, dhunë do të thotë që të bashkëpunosh me krimin dhe trafikun e drogës në kurriz të qytetarëve, dhunë do të thotë që policia të bashkëpunojë me krimin, ta kthesh Parlamentin në një ambient qesharak dhe të pavlefshëm”, u shpreh ai.