Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tani është në duar të sigurta dhe se nuk flitet më për ndryshim të kufijve.
“Nuk mund t’i paragjykoj proceset me rëndësi. Tani procesi është në duar të sigurta, i është hequr nga duart zonjës Federica Mogherini. Tani e ka në dorë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron. Nuk rrezikojmë ndonjë propozim për ndarje, ka një stabilitet dhe kjo është kryesorja”, u shpreh Haradinaj.
“Mogherini tha në Tiranë që të hiqet taksa se ndryshe do e ndajë Kosovën menjëherë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë tërhequr asnjëherë nga roli i tyre në proceset në Kosovë dhe SHBA-ja e di kur të marrë përgjegjësitë në proceset e caktuara. Rusia është tërhequr nga Ballkani, ne nuk e parashikojmë në asnjë axhendë tonën, ne nuk jemi pjesë e botës së Rusisë, por e botës së Amerikës”, është shprehur ai.
Edhe pse dialogu është pezulluar për shkak të taksës 100 % të vendosur mbi produktet serbe, në 1 korrik do të zhvillohet takimi i ardhshëm Gjermani, Francë, Serbi, Kosovë, me shpresën që procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ti jepet një shtysë tjetër.