Nga Xhuliana Toci
“Le t’i përsërisë zgjedhjet sa herë të dojë, ai (Erdogani) nuk ka për të fituar këtu”. I ulur në një rrugicë të ngushtë në lagjen Beshiktash, në Stamboll, Abdyllahu vëzhgon me shqetësim nga larg një turmë të rinjsh që protestojnë kundër anulimit të zgjedhjeve lokale të qytetit. Shqiptari bisedonte herë pas herë më miqtë e tij të cilët dukeshin po aq të shqetësuar për fatin e tyre.
Familja e 60 vjeçarit u vendos gati 1 shekull më parë në Turqi, por ai vazhdon të flasë rrjedhshëm shqipen. Edhe pse ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyer akademike në Stamboll, Abdyllahu është më i bindur se kurrë për të lënë Turqinë, me shpresën se do të mund të pajiset me nënshtetësinë shqiptare dhe të vendoset në Tiranë. Ashtu si shumë intelektualë turq, edhe ai i frikësohet kthesës që mund të marrë demokracia në Turqi.
“Beshiktashi dhe Kadikoi janë të vetmet që po protestojnë hapur, por zemërimi në gjithë Stambollin është i madh. Edhe të verbrit e kanë kuptuar se po shkojmë drejt greminës”, më thotë pa ia hequr sytë protestuesve.
Ashtu i menduar më tregon për rënien drastike të vlerës së lirës, frikën nga përndjekja politike, përhapjen e radikalizmit në mesin e besimtarëve, për paratë publike që shpenzoheshin për ndërtimin e njëpasnjëshme të xhamive, ndërkohë që shkollat rrënoheshin dhe mungesën e shpresës për të ardhmen.
“Këto janë ditë të errëta për ne”, thotë me gjysmë zëri. “Por ata janë trima”, shton duke parë nga të rinjtë që po parakalonin me pankarta në duar. Nxitimthi mes parullave pash një fotografi të Ekrem Imamoglut, kandidatit që duhet të ishte tanimë kryebashkiaku i ri i Stambollit.
Vendimi për anulimin e zgjedhjeve të Stambollit nuk ishte një surprizë as për Abdyllahun dhe as për miqtë e tij. Për më shumë se një muaj shtypi turk, i cili është pothuajse tërësisht i kontrolluar nga Erdogan, ishte mbushur me pretendime të rreme për parregullsi dhe presion gjatë votimit. Sigurisht kjo nuk është hera e parë që AKP-ja do të kontestonte rezultatet zgjedhore, por për ekspertët në Turqi është vetë vrasja më e madhe politike e Erdoganit.
Në referendumin për ndryshimin e kushtetutës në vitin 2017, i cili zëvendësoi sistemin parlamentar me atë presidencial, Erdogan arriti fitoren në momentin e fundit nëpërmjet mbushjes së kutie të votimit. Por sipas 60 vjeçarit, ka diçka ndryshe në këtë ndërhyrje. Krahasuar me viti 2017, Erdoganit iu desh më shumë se një muaj presion për të përmbysur këto zgjedhje legjitime.
Analistët janë të bindur se Erdogani po bën gabimin strategjik duke e futur veten sërish në zgjedhje lokale, pasi ishte vetë ai që i shndërroi në një votëbesim të dytë në udhëheqjen e tij.
Abdyllahu tregon se gjatë zgjedhjeve lokale të gjitha rrugët u mbushën me fotografitë e Erdoganit dhe pothuajse të gjitha fjalimet e tij, në të cilat ai i cilësonte kundërshtarët politikë tradhtarë, u transmetuan drejtpërdrejt në televizion, ndërkohë që opozita u injorua plotësisht nga mediat kombëtare.
Rezultatet u kthyen kështu në një fatkeqësi personale për Erdoganin, pasi partia e tij humbi disa nga bashkitë më të rëndësishme të vendit, përfshirë Ankaranë, Adanan, Mersinin dhe Izmir. Tanimë Erdogan rrezikon një kundërpërgjigje të jashtëzakonshme nga një elektorat që e konsideron anulimin e zgjedhjeve si të padrejtë dhe mund të përballet me një humbje tjetër poshtëruese. Pra, pse po e ndërmerr presidenti një rrezik të tillë?
Së pari, Stambolli nuk është thjesht qyteti më i madh, i Turqisë, por është gjithashtu kryeqyteti ekonomik dhe kulturor i vendit. Si i tillë, ai ka shërbyer si “arka e floririt” të partisë së tij. Buxheti bashkiak thuhet se përdoret për të financuar projektet islamike të Erdogani. Projekte të tjera të mëdha i janë dhënë shpesh pa tendera miqve të Erdoganit, duke bërë që ai të “shtijë në dorë” sektorin privat të Turqisë. “Humbja e Stambollit, pra, do të ishte një goditje e rëndë për presidentin”, thotë 60 vjeçari.
Së dyti, Stambolli është baza e Erdoganit. Ai e nisi karrierën kur u zgjodh për herë të parë si kryebashkiaku i Stambollit në vitin 1994. Përtej simbolizmit të humbjes së vendlindjes, Erdogan e kupton se një kryebashkiak i suksesshëm nga radhët e opozitës, mund ta sfidojë edhe në presidencë.
Së treti, Erdogan duket se ka filluar ta nuhasë se pas dy dekadash “sundimi”, publiku turk thjesht është lodhur prej tij. Edhe pse është kryeqyteti ekonomik i Turqisë, kriza ekonomike ka ndryshuar fytyrën e Stambollit.
Lagjet periferike janë kthyer në geto për shkak të numrit të lartë të banorëve, çmimet janë rritur ndjeshëm, pabarazia ekonomike është e dukshme nga njëra lagje në tjetrën, ndërtimet e panumërta po e kthejnë dalëngadalë në një qytetet të banueshëm ndërkohë që shërbimet publike janë përkeqësuar nga viti në vit.
“Çdo lagje në Stamboll ka nga dy-tre xhami, por nuk ka shkollat apo qendra shëndetësore”, më thotë Abdyllahu. “Por qytetarët e kanë kuptuar se feja nuk është kura e të gjitha problemeve. Fundi i Erdoganit është shumë afër, më besoni”, shprehet i bindur 60 vjeçari me origjinë shqiptare.