Gjysma e Milanos, ajo zikaltër, feston sonte kualifikimin “me zemër në dorë” për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, ndërsa gjysma tjetër, ajo kuqezi, “vajton” gabimet e pafundme të një sezoni të tërë, që e lanë sërish jashtë kompeticionit më të rëndësishëm europian.
Interi fitoi me shumë vuajtje 2-1 përballë Empolit në “San Siro”, në nëj sfidë vetëm për njerëzit me zemër të fortë, ndërsa zikaltrit konfirmuan se jo më kot quhen “Interi i çmendur, i sëmurë”.
Pas një pjese të parë pa gola, tërësisht për meritë të portierit të Empolit, Dragowski, zikaltrit zhbllokuan sfidën në fillim të pjesës së dytë, kur i sapofuturi Keita Balde bëri gjithçka mirë dhe me një gjuajtje nga distanca, dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm pak minuta më vonë, Mauro Icardi fitoi një 11-metërsh, të cilin e mori përsipër vetë ta ekzekutojë, por pa që gjuajtja e tij të pritej nga polaku Dragowski, që ishte një “superman” i vërtetë mbrëmjen e sotme.
Mbrëmja u bë edhe më emocionuese në minutën e 76’, kur Empoli riktheu baraspeshën me anë të Traore, që doli zbuluar në shtyllën e dytë, i harruar nga mbrojtja zikaltër. Vetëm 5 minuta më vonë, Nainggolan riktheu Interin sërish në avantazh, pas një kundërsulmi të shpejtë të Vecinos.
Megjithatë fundi ishte dramatik, teksa dy herë Handanoviç dhe një herë traversa, shpëtuan Interin nga goli i barazimit, ndërsa vetëm në minutën e fundit shtesë, pas një këndoreje të Empolit, Interi doli në kundërsulm dhe Brozoviç me portën e boshatisur, arriti ta dërgojë topin në rrjetë.
Por asgjë nuk kishte përfunduar, sepse pasi rishikoi aksionin në VAR, arbitri Luca Banti anuloi golin për një faull të Keita Balde ndaj portierit toskan, ndërsa sulmuesi senegalez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Edhe 60 sekonda të tjera për t’u luajtur, ndërsa Empoli tentoi edhe me një rast të fundit, por topi parakaloi zonën zikaltër dhe doli në krahun tjetër, ndërsa gjuajtja me kokë e njërit prej toskanëve përfundoi në duart e Handanoviç, që bashkë me topin, siguroi edhe vendin e katërt për Interin.
Një ëndërr e bërë realitet, ishte edhe kalimi i Atalantës në Champions, pasi zikaltrit arritën të triumfojnë 3-1 me përmbysje përballë Sassuolos, duke u renditur përfundimisht në vendin e tretë, me 69 pikë, aq sa Interi i vendit të katërt.
E pavlerë fitorja e Milanit në transfertën ndaj Spalit, me rezultatin 2-3, pasi kuqezinjtë mbetën sërish në vendin e pestë dhe do të duhet të garojnë në Europa League, nëse UEFA nuk do të vendosë t’i pezullojë.
Ndërkohë, fitore 2-1 mori Roma përballë Parmës, në sfidën e fundit të Daniele De Rossit me verdhekuqtë, ndërsa Udinese triumfoi 1-2 në transfertën ndaj Cagliarit. Një barazim pa gola u arrit edhe në “Artemio Franchi” mes Fiorentinës dhe Genoas, rezultat ky që shpëtoi në Serinë A të dy skuadrat dhe rrëzoi një kategori më poshtë Empolin.