Nga Karli Silver
Roberto Saviano, është dëshmia e gjallë se gazetaria është shpesh një nga profesionet më pak të vlerësuara, dhe më të rrezikshme në botë. Gazetari italian u bë i famshëm në vitin 2006, kur në moshën 26-vjeçare, botoi librin e tij “Gomorrah”, që ekspozoi krimet e organizatës kriminale famëkeqe Kamorra, me qendër në Napoli të Italisë.
Kur libri u bë një bestseller, krerët e mafias e kërcënuan me jetë Savianon, dhe ai u vu nën mbrojtjen e policisë. Roberto Saviano, është prej asaj kohe një njeri i kërkuar, i persekutuar dhe i kërcënuar jo vetëm nga mafiozët italianë, por edhe nga politikanët më të njohur në vend. Megjithatë, pavarësisht nga kërcënimet ndaj sigurisë së tij, ai ka vazhduar të flasë kundër krimit të organizuar dhe problemeve të tjera akute. I lindur në Napoli në vitin 1979, Saviano u rrit në një mjedis të sunduar nga bandat e dhunshme napolitane – dhe sidomos një organizatë mafioze e quajtur Kamorra.
Klani i Kazalezëve, sundonte zonën e Kazal di Principe në rrethinat e Napolit, ku ai u rrit, duke u marrë me menaxhimin e mbetjeve toksike, trafikun e drogës, si dhe trafikun e armëve dhe qënieve njerëzore. Saviano, pa viktimën e parë të vrarë nga mafia kur ishte 13 vjeç, gjatë rrugës kur po shkonte në shkollë.
Jo shumë kohë pas atij episodi, babai i tij, me profesion mjek, i mësoi se si të qëllonte me armë. Në një rast mafiozët rrahën edhe babanë e Savianos, për shkak se tentoi t’i vinte në ndihmë një personi, që sapo ishte qëlluar për vdekje në një atentat. Por Kamorra tronditi shumë të riun Saviano, me vrasjen e tmerrshme të Xhuzepe “Pepino” Diana, një prift shumë popullor në lagje.
Diana kritikonte Kamorrën në shumë prej predikimeve të tij në kishë, duke e quajtur atë “një lloj organizate terroriste”. “Gjobëvënia e ka lënë rajonin tonë pa potencial për zhvillim, me rryshfetet prej 20 përqind në projektet e ndërtimit; trafikun e paligjshëm të drogës, dhe bandat e të rinjve të margjinalizuar”- predikonte ai.
Në vitin 1994, mafiozët e qëlluan për vdekje në kishë, teksa po përgatitej për meshën e të dielës.
Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, ata vazhduan ta përdhosin emrin e priftit në shtyp, duke pretenduar se Diana u vra sepse shkonte më shumë gra. Ajo ishte një pikë kthese në jetën e Savianos.
Siç kujton në një intervistë për revistën ‘GQ’, “ajo ngjarje më ndryshoi për mirë”. Pasi mbaroi gjimnazin, Saviano nisi që të punonte me një fotograf që punonte në dasmat e anëtarëve të Kamorras. Ai e gjeti veten shumë pranë jetës së mafiozëve, dhe nisi të infiltrohet në organizatat e tyre.
Ai zbuloi se Kamorra jo vetëm që sundonte Napolin, por fitonte miliona euro nga kontrabanda, trafiqet dhe dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Në fakt, tentakulat vdekjeprurëse të perandorisë së krimit, dukej se shtriheshin në çdo cep të botës. Roberto Saviano, nisi të shkruante në revista dhe gazeta mbi zbulimet e tij mbi kamorristët, anëtarët e Kamorrës.
Ai sfidoi vazhdimisht autoritetin vdekjeprurës të mafiozëve. Në vitin 2006, artikujt e Savianos u përmblodhën në librin “Gomorrah”, ku jepen detaje të shumta rreth sekreteve të errëta të Kamorrës. Libri u shndërrua shumë shpetj në një bestseller, duke shitur më shumë se 10 milionë kopje në mbarë botën, me 2.25 milionë kopje vetëm në Itali.
Gjithashtu, ai kryeson listën e të kërkuarve për t’u vrarë nga mafia. “Jo shumë kohë pasi doli libri në vitin 2006, dikush la një fletëpalosje në kutinë postare të nënës sime. Ajo tregonte foton time, me një pistoletë në kokë dhe fjalën “I dënuar me vdekje!”-, shkroi Saviano në “The Guardian” në vitin 2015.
Në tetor të vitit 2006, shumë shpejt pasi përmendi emrat e drejtuesve lokalë të Kamorrës, në një takim në vendlindjen e tij, 2 policë e takuan Savianon në një stacion treni, dhe e futën atë në një makinë të blinduar. “I pyeta, se sa kohë do të zgjasë kjo. Dhe ata më thanë dy javë”-tha Saviano. Në fakt, që nga ajo kohë, ai ka qenë nën mbrojtjen e policisë.
Në vitin 2008, ai u shpreh për “The Guardian”:“Po të kisha shitur vetëm 10 mijë kopje, ata nuk do të ishin shqetësuar. Por këtu nuk është si në Iran apo Afganistan. Kamorra nuk përpiqet t’ju ndalojë të shkruani apo flisni. Ata shqetësohen, vetëm kur ju lexojnë apo dëgjojnë shumë njerëz”.
I riu Saviano, u detyrua të largohej nga shtëpia, familja dhe miqtë e tij. Nëna, babai dhe vëllai, morën identitete të reja, dhe ndërruan shtëpi.Në një artikull të tij në “The Guardian” në vitin 2015, Saviano vuri në dukje:”Tetë vitet e fundit, kam udhëtuar kudo me 7 truproja të mirë-trajnuar dhe në 2 makina të blinduara. Jetoj në kazermat e policisë ose në dhomat e hoteleve jo shumë të njohur, dhe rrallë kaloj më shumë se disa netë në të njëjtin vend…Nëse tentoj të bëj diçka spontane, vetëm sepse e ndjej kështu, kjo do të ishte shumë problematike”.
Në vitin 2011, pas 5 vitesh nën mbrojtjen e policisë italiane, Saviano u zhvendos me banim në Nju Jork, ku ai shpresonte të jetonte një jetë paksa më normale. Autoritetet italiane, i përgatisën një hartë të veçantë, që kishte të shënuar dyqanet dhe restorante në pronësi të emigrantëve italianë, që mendohej se kanë lidhje me Kamorrën.
Në fakt, jeta e tij ishte ende e kërcënuar, sa që edhe kur jepte mësim në Universitetin e Nju Jorkut – 4.400 milje larg Napolit – u kërkonte studentëve të mos tregonin për praninë e tij. Por në të njëjtën kohë, Saviano ka qenë dëshmitar i famës së tij të madhe. Libri i tij u përshtat në një film në vitin 2008, që fitoi Çmimin e Madh në Festivalin e Kanës.
Filmi u realizua edhe në formën e një seriali televiziv në vitin 2014, që vazhdon të shfaqet ende në Itali, Britaninë e Madhe dhe SHBA. Vetë Saviano ka drejtuar emisione speciale televizive italiane mbi krimin e organizuar, duke përfshirë “Vieni via con me” (Hajde ikim bashkë) në vitin 2010, dhe më së fundmi “Kings of Crime” (Mbretërit e krimit) në vitin 2012.
Në vitin 2013, ai botoi librin e tij të dytë investigativ “ZeroZeroZero”, një studim mbi trafikun global të kokainës. Roberto Saviano e sheh famën e tij si një asset, dhe jo si një barrë. Ai thotë se audienca e tij e mbron atë “po aq sa edhe eskorta ime e armatosur”. “Profili im shumë publik, më ekspozon ndaj kritikave të egra, por gjithashtu edhe më mbron”- thekson ai.
Duke qenë e paaftë që ta eleminojë drejtpërsëdrejti, Kamorra ka intensifikuar përpjekjet e saj për ta diskredituar Savianon si shkrimtar. Sikurse është shprehur vetë shkrimtari:”Në fazën e dytë të hakmarrjes, ata të diskreditojnë. Ata thonë se unë jam një mashtrues, gënjeshtar, një plagjiator”.
Dhe në fakt, Saviano u akuzua për plagjiaturë të disa pjesëve të librit të tij të vitit 2013. Ndërkohë, edhe zyrtarë të qeverisë italiane, kanë bërë gjithashtu përpjekje për të minuar reputacionin e Savianos. Veçanërisht, zv/kryeministri italian Mateo Salvini, që e paditi Saviano për shpifje vitin e kaluar.
Një vit më vonë, Saviano ka deklaruar se çështja do të vazhdojë në gjykatë. Shkrimtari rrezikon të dënohet me 6 vite burg. Pavarësisht nga të gjitha këto zhvillime negative, ai planifikon të vazhdojë të shkruajë dhe të flasë për lirinë e shtypit, lirinë e emigracionit dhe të drejtat e tjera. Por a do të mbijetojë gazetari, duke përjetuar sërish një liri të vërtetë?
Për Roberto Savianon, këtë do ta tregojë vetëm koha. Solidariteti është drita; mbijetesa e tij. Nuk është një gjest që merret si i mirëqenë, dhe as formal. Të hedhësh dritë mbi ata që janë të kërcënuar për shkak të shkrimeve të tyre, do të thotë të kryesh një akti jetëdhënës. Sepse kjo gjë, u shpëton shpesh atyre jetën. (AllThatisInteresting – Bota.al)