“Ku është Muhamed Zeqiri? Ku është shqiptari? Do t’ju vrasim të gjithëve”. Me këto dhe fjalë tjera ofenduese, deputeti i LSDM-së Zeqiri para tyrupi gjykues tha se një pjesë e protestuesve në Kuvend në natën e 27 prillit e kishin kërkuar atë, i cili tha se më shumë se 2 orë ishte strehuar në kabinën e përkthimit, në galerinë e pres-qendrës së Kuvendit. Aty ka qenë me katër deputete tjera. Zeqiri tha se protestuesit dy herë kanë tentuar të futen në kabinë, e cila ka qenë e bllokuar me karrige, por pa sukses pasi Frosina Remenski u ka thënë se dera është vazhdimisht e mbyllur dhe të njëjtit më pas janë larguar. Në dëshminë e sotme, Zeqiri ka përshkruar ngjarjet e natës së 27 prillit dhe sjelljen e protestuesve.
Turma ishte e acaruar dhe sulmoi një pjesë të kolegëve. I pari në cak ishte Zoran Zaev. Nga ajo që pashë, një person në dorë mbante pistoletë dhe nuk ishte menjëherë pranë radhëve të para të deputetëve. Pistoleta i ra për tokë dhe u përkul ta gjejë. Kishte shumë njerëz me maska dhe tatuazhe të cilët e koordinonin dhe nxitnin turmën- tha Muhamed Zeqiri, Deputet i LSDM-së.
Avokatja e mbrojtjes, Sanja Aleksiq disa herë reagoi duke thënë se pyetjet e prokurores Vilma Ruskoska janë ofenduese. Megjithatë, Zeqiri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, tha se në pres-qendrën janë paraqitur edhe Vllatko Gjorçev dhe Nikolla Todorov, por se Todorov është shtyrë jashtë. Siç sqaroi Zeqiri, turma është qetësuar pas të shtënës me armë nga ana e sigurimit të ministrit Oliver Spasovski. Ai tha se një pjesë e deputetëve më vonë, me ndihmën e policisë ishin dërguar në tjetër zyrë, ndërsa aty sipas Zeqirit kishte shkuar Vllatko Gjorçev i cili kishte kërkuar nga ai dhe Talat Xhaferi që të pengojnë një turmë të qytetarëve të cilët sipas tij uishin nisur nga Bit Pazari drejt Kuvendit. Në seancën e nesërme për dhunën në Kuvend pritet të dëshmojnë kryeministri Zoran Zaev, ministri i brendshëm Oliver Spasovski si dhe Nikolla Todorov dhe Vesel Memedi.