Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim homologen e tij, kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, me të cilën diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe çuarjen përpara të koordinimit të rrjetit të kryetarëve të bashkive dhe komunave që drejtohen nga shqiptarët në rajon.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimeve në Maqedoni, më konkretisht referendumit që do mbahet në datën 30 shtator, për miratimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës falenderoi kryetaren e Komunës së Tetovës për vizitën dhe u shpreh se referendumi i javës së ardhshme është një sfidë kombëtare shumë e rëndësishme jo vetëm për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, por edhe për rajonin. Ndaj, Veliaj theksoi se është e domosdoshme, jo vetëm vota pro, por edhe pjesëmarrja e madhe në votime.
“Sfida për referendumin e datës 30 shtator është një sfidë kombëtare edhe për ne. Do të thotë: jemi aksionerë të së kaluarës apo aksionerë të së ardhmes? Nëse jemi aksionerë të së ardhmes, duhet me dalë në votim, duhet me u numëru ditën që numërohet vullneti ynë. Besoj se ky është një shans historik, jo vetëm për shtetin maqedonas, por edhe për gjithë bashkëkombësit shqiptarë në Maqedoni, për të qenë të pranishëm aty ku vendoset e ardhmja”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ndaj, ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë në Maqedoni që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë Maqedonisë shansin që të tregojë vlerat e saj perëndimore. “Ky është një shans historik dhe dua t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre të Tetovës, por në të gjitha komunat ku ka qytetarë shqiptarë, që në këtë mision dhe në këtë thirrje historike të jemi prezentë; në datën 30 shtator të themi “Po”, bashkë me Shqipërinë, duam të anëtarësohemi në BE, ta bëjmë së bashku këtë udhëtim, që të arrijmë së bashku në destinacion. Jam i bindur se shqiptari sa herë ka patur thirrje për të qenë në anën e duhur të historisë, i është përgjigjur kësaj thirrje, dhe mezi pres që në datën 30 shtator ne shqiptarët të dalim faqebardhë dhe të themi jo veçse me fjalë, por edhe me vepra se jemi pro Europës, pro zhvillimit”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se ky është një shans historik që Maqedonia dhe Shqipëria të ecin së bashku në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Të shkojmë për dore në BE, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia. Do të thotë, shqiptarët andej dhe këtej kufirit; ky duhet të jetë një udhëtim çift, bashkë me Maqedoninë. Shqiptarët kanë një shans historik për të thënë që jemi në anën e duhur të historisë. Nuk besoj se kemi pasur ndonjëherë në histori miq dhe avokatë më të mëdhenj se SHBA dhe BE. Tani do të na duhet të reciprokojmë; Kur kemi patur nevojë, ata kanë qenë aty për ne, sot që pyetemi: “A jemi pro Europës? A Jemi pro perëndimit, progresit dhe zhvillimit?”, përgjigja jonë duhet të jetë Po”, deklaroi Veliaj.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e konsideroi referendumin e datës 30 shtator si një mundësi të jashtëzakonshme që i jepet qytetarëve të Maqedonisë për të vendosur për ardhmërinë e vendit të tyre drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. “Është shumë e rëndësishme që më 30 shtator ky referendum të ketë sukses, e në të njëjtën kohë, të vazhdojë procesi i aderimit të Maqedonisë në NATO dhe i hapjes së negociatave, të cilat bashkë me Shqipërinë, janë përcaktuar të jenë verën e ardhshme, që përfundimisht vendet tona të kenë atë ardhmëri që qytetarët tanë të jenë qytetarë të Bashkimit Europian”, tha Teuta Arifi.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua edhe për vijimin e bashkëpunimit mes bashkive të të dyja qyteteve dhe në mënyrë të veçantë i tryezës së kryebashkiakëve shqiptarë të rajonit. “Diskutuam mbi vijimësinë e takimeve të lidhjes së kryetarëve të bashkive shqiptare, takimi i radhës së të cilës do të mbahet pikërisht në Maqedoni, dhe për temat të cilat do t’i diskutojmë së bashku”, përfundoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.