Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, gjatë ndeshjes së humbur 1-2 me Chelsean në Carabao Cup, u pa disa herë duke i bërtitur Xherdan Shaqirit, i cili u aktivizua titullar dhe qëndroi gjatë gjithë kohës në fushë ndaj bluve të Londrës.
Trajneri gjerman u duk i tërbuar me futbollistin shqiptar, sidomos pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, që sanksiononte eliminimin e “The Reds” nga kompeticioni.
I pyetur për fjalët që i kishte drejtuar 26-vjeçarit, Klopp ka shpjeguar se gjithçka kishte të bënte me ekzekutimin e një goditjeje të lirë në fund të sfidës, që duhej të merrej përsipër nga Shaqiri, ndërkohë që e kreu Jordan Henderson.
Trajneri gjerman donte që Shaqiri të jepte një kros të gjerë për Mohamed Salah në shtyllën e dytë, ndërkohë që Henderson synoi Dejan Lovren, që nuk mundi të bënte asgjë.
“Fola për një goditje të lirë të fundit. Doja që krosimi të ishte për Salah, në shtyllën e dytë, sepse po ta nxirrnim përballë portierit, nuk do të ishte keq. Vetëm kaq ishte ajo bisedë”, sqaron Klopp.
Në fakt, Klopp kishte reaguar i irrituar në disa raste gjatë lojës ndaj Shaqirit, duke i kërkuar vazhdimisht të ngrihej në këmbë dhe të ushtronte presion.
Gjermani i tërhoqi vëmendjen shqiptarit në një tjetër moment, kur qëndroi i shtrirë në zonë, duke insistuar për një 11-metërsh të pa dhënë, ndërkohë që duhej të ngrihej e të vazhdonte lojën.