Ballina Aktualitet Lajme MICKOSKI: MARRËVESHJA KA VDEKUR, ZAEV: DEPUTETË EJANI TË THEMI “PO” (VIDEO)

MICKOSKI: MARRËVESHJA KA VDEKUR, ZAEV: DEPUTETË EJANI TË THEMI “PO” (VIDEO)

Marrëveshja e Prespës ka vdekur. Kështu është shprehur kreu i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Hristijan Mickovski, me çka nuk i lë shpresa qeverisë së Zoran Zaevit se do ta mbështesë për ndryshimet kushtetuese në Parlament. Në një intervistë për Deutsche Welle lideri i VMRO-DPMNE-së, ka treguar qartë se forca politike që drejton ai, nuk do ta përkrahë marrëveshjen historike të emrit me Greqinë, që do t’i hapte vendit rrugën e integrimit në NATO dhe BE.

Poashtu VMRO-DPMNE nëpërmjet një komunikate me shkrim informoi se grupi parlamentar i kësaj partie nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese. Sipas tyre, qytetarët në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje thanë se referendumi është i pasuksesshëm ndërsa marrëveshja është e vdekur.

VMRO-DPMNE

“Marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit është edhe politikisht edhe juridikisht e vdekur. Grupi parlamentari i VMRO-DPMNE-së nuk do t’i përkrah ndryshimet kushtetuese dhe për këtë shkak hoqën dorë nga debati në Kuvend. Është koha kur Zoran Zaevi duhet të largohet. Ai harxhoi dy vjet nga jeta e qytetarëve për të nënshkruar marrëveshje të dëmshme dhe për nënçmimin e shtetit”, thuhet në komunikatën e VMRO-së”

Ndërkaq njeriu i parë i Qeverisë, Zoran Zaev, nëpërmjet profilit të tij në Facebook i fton deputetët që t’i thonë “PO”, siç thekson ai mundësisë që ndodhet përpara. Ndërsa nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social Twitter, Zaev u rikujton deputetëve se kanë përgjegjësi historike përpara qytetarëve.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Të gjithë deputetët kanë përgjegjësi historike para qytetarëve që ta sigurojnë rrugën e Maqedonisë kah stabiliteti dhe prosperiteti ekonomik. Kjo është rruga kah NATO dhe BE-ja, që shkon nëpërmjet Marrëveshjes Maqedoni – Greqi”

Nesër do të vazhdojë seanca për nevojën për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, ndërsa paraprakisht grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së është tërhequr nga e drejta e diskutimit dhe ka bërë thirrje për votim të propozimit të Qeverisë për ndryshimet kushtetuese.

Po ashtu edhe të ftuarit në emisionin Studio e Hapur në Televizionin Shenja vlerësojnë se mënyra e të shkruarit të kreut të VMRO-së I kalon të gjithë kufinjtë diplomatic. Sipas gazetarëve Todor Pendarov dhe Goran Tërpenovski në mënyrën siç ishte drejtuar Mickosvki, mund t’ i drejtohesh cilit do politikani në Maqedoni, por jo një diplomati amerikan. Ajnur Bafqari /SHENJA/

https://youtu.be/s5RJcvRLL34