Qeveria e koalicionit e Italisë ka qenë në qendër të vëmendjes me ndjekjen e politikave të saj ekonomike populiste që kërcënojnë t’i bëjnë rrëmujë rregullat fiskale të eurozonës. Por para se autoritetet e BE-së të reagojnë, ato duhet të kenë parasysh se nëse Italia nuk siguron rritje më të fortë të GDP-së, kushtet politike atje mund të përkeqësohen akoma më tej.
Nga Jim O Neill
Pavarësisht trazirave politike dhe rreziqeve që po lindin në nivel global, eurozona ka pasur dy vjet rritje të fuqishme ekonomike, të paktën nga standardet e saj historikisht zhgënjyese – dhe madje edhe me Britaninë e Madhe që po shkon drejt tërheqjes nga Bashkimi Europian. Por me krijimin e një qeverie populiste në Itali këtë vit, nuk është më e sigurt të supozohet se ditët më të këqija të eurozonës kanë mbetur pas krahëve.
Italia ishte vendi i parë që studiova kur hyra në botën financiare në vitin 1982, kështu që kam një dashuri të veçantë për të. Punoja për një bankë shumë të madhe amerikane në atë kohë dhe ende e mbaj mend që i bashkohesha konferencave të shpeshta transatlantike për të diskutuar borxhin e Italisë. Pyetja që i vinte në mendje të gjithëve ishte se kur do të shpallej falimentimi. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Në vend të kësaj, Italia ia doli mbanë të mbijetonte dhe ka vazhduar ta bëjë këtë që nga ajo kohë. Prapëseprapë, tani që qeveria italiane duket e gatshme t’i kundërvihet BE-së, nuk do të ishte e habitshme nëse shqetësimet për një falimentim të rishfaqeshin përsëri.
Siç tregon përvoja ime më shumë se 30 vjeçare, problemet ekonomike të Italisë kanë filluar që para miratimit të Euros. Ajo ka pasur gjithmonë produktivitet të dobët krahasuar me standardet europiane që përkthehej në rritje të ulët ekonomike që para Euros. Në të njëjtën kohë, rritjet rastësore në nivel të lartë thjesht mbillnin farën për krizat e ndryshme, shpesh duke rezultuar në zhvlerësime të monedhës italiane, lirës.
Sigurisht, ka disa që tani e kujtojnë me mall kohën kur mund të ulej vlera e lirës për të rikthyer rritjen ekonomike. jo nuk është më e mundur tani, me monedhën e përbashkët. Por ajo që harrojnë ata që e shohin me romantizëm epokën para euros, është se anëtarësimi në eurozonë i ka dhënë Italisë inflacion të ulët dhe për pasojë interesa më të ulëta. Për më tepër, ka arsye të mendohet se zhvlerësimi i lirës ka sjellë më shumë dëme sesa dobi. Edhe pse ato ofronin një rritje rastësore konkurrence, zhvlerësimet bënin që të nevojiteshin reforma strukturore të cilat mund të rritnin prodhimtarinë në plan afatgjatë.
Ka gjithashtu disa njerëz që besojnë se struktura fiskale dhe monetare e eurozonës e fut Italinë në një rritje nominale të GDP-së, me ndoshta inflacion tepër të ulët dhe borxhin e lartë. Megjithatë, përpara se qeveria e re të vinte në pushtet, deficiti fiskal i Italisë që rregullohet ngadalë me cikle – ndryshe nga borxhi i saj – shpesh ishte më tepër i përmbajtur krahasuar me pjesën tjetër të eurozonës, si dhe anëtarët e tjerë të G7 (Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara).
Megjithatë, partitë kryesore politike që qeverisën Italinë deri në këtë vit nuk arritën rritjen nominale të GDP-së që i nevojitet vendit. Si rezultat, italianët zgjodhën një koalicion jo-konvencional, programi i të cilit kombinon politikat e populistëve të majtë me ato të populistëve të krahut të djathtë. Ndërsa Lega Nord premton të ulë taksat, Lëvizja Pesë Yjet (M5S) po ndjek një formë të ardhurash bazë fikse.
Por Italisë i nevojitet një program i gjerë reformash strukturore për të përmirësuar produktivitetin. Kjo është mënyra e vetme për të arritur një rritje më të lartë afatgjatë, duke marrë parasysh demografinë e vendit. Përveç miratimit të politikave për të rritur pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, Italia duhet të ofrojë mundësi më tërheqëse për të rinjtë e saj.
Nga ana e saj, BE-ja duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Italinë që të ndërmarrë hapat e vështira që i nevojiten. Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe qeveria gjermane kanë gabuar duke këmbëngulur në zbatimin e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes Ekonomike të BE-së, sidomos kufirin prej 3% të GDP-së mbi deficitet fiskale. Edhe pse disa vende janë lejuar ta shkelin kufirin e deficitit gjatë periudhave të vështira, Italisë nuk i është ofruar pothuajse kurrë diçka e tillë për shkak të nivelit të lartë të borxhit të saj. Megjithatë, siç tregon përvoja e Belgjikës dhe Japonisë, borxhi i lartë i qeverisë mund të reduktohet vetëm nëpërmjet rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Duke i komplikuar akoma më tej gjërat, disa reforma për të rritur produktivitetin afatgjatë mund të zvogëlojnë gradualisht rritjen në planin afatshkurtër. Kështu, çdo qeveri që merr masa të tilla do të duhet të ketë mundësinë e ndjekjes së stimujve ciklikë.
Një problem tjetër ka të bëjë me politikën monetare. Banka Qendrore Europiane mund të tregohet më mendjehapur në mënyrën sesi ndjek objektivin e inflacionit prej vetëm 2%. Ky objektiv, së bashku me objektivin e Gjermanisë që është 2%, e lë Italinë në një gjendje inflacioni të ulët, madje edhe kur mund të përfitojë nga më shumë stimuj të politikës monetare.
Në këto kushte, autoritetet e BE-së do të bënin mirë që të mos i kundërshtonin në mënyrë tepër agresive planet e qeverisë italiane. Nëse liberalët e zakonshëm shqetësohen për implikimet e një qeverie populiste të zgjedhur në mënyrë demokratike, atëherë ata duhet të shqetësohen edhe më shumë për atë që mund të vijë më pas nëse rrethanat ekonomike përkeqësohen. Në këtë pikë, Italia ka nevojë për rritje më të fortë të GDP-së nominale – thjesht dhe qartë.
Disa do të thonë se gabuan që e pranuan Italinë ne eurozonë dhe se zona e monedhës së përbashkët duhet të kishte qenë më diskriminuese me anëtarësimet e saj. Por komunitetet e biznesit gjerman dhe francez këmbëngulën se bashkimi monetar duhet të përfshijë disa nga kompanitë më konkurruese të Italisë. Dhe sapo Italia konsiderohej e pranueshme, kështu do të konsideroheshin gjithashtu edhe shumë vende të tjera.
Si përfundim, ata që kanë pushtetin për të vendosur dhe zbatuar rregullat fiskale dhe monetare të BE-së e dinë shumë mirë se eurozona nuk mund t’i mbijetojë një krize të stilit grek në Itali. Është përgjegjësia e tyre në muajt e ardhshëm që të sigurohen që gjërat të mos arrijnë në atë pikë.
Project Syndicate