Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut, kanë konfirmuar tashmë dëshirën e tyre për të organizuar së bashku Lojërat Olimpike, një vullnet që u shpreh edhe në muajin shtator nga udhëheqësit e dy vendeve, Kim Jong-un e Moon Jae-in, në takimin mes tyre.
Gjithçka u vendos pas një takimi mes dy delegacioneve të autoriteteve sportive të Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, në qytetin e Kaesongut që është në territorin koreano-verior, ndërkohë që për këtë çështje është njoftuar edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Bashkëpunimi në aspektin sportiv mes dy Koreve nisi në Lojërat Olimpike të Pyeongchangut, kur këto dy vende sfiluan në ceremoninë e hapjes nën të njëjtin flamur, ndërkohë që në turneun e hokejit në akull konkurruan me një skuadër të përbashkët.
Ndërkohë, këto dy vende po punojnë që të marrin pjesë si një ekip i vetëm në kampionatin botëror të hendbollit për meshkuj.