Nga Prof. As. Dr. Artan Duka
Votë (referendum) për votën!
Në Bibël thuhet se kur Pilati i kërkoi turmës të zgjidhte mes dy të dënuarve, “votimi” liroi të damkosurin dhe çoi në kryq bamirësin.
Edhe sot demokracia nuk është sistemi më i përsosur ndaj dhe ka polici, prokuror, gjyqe, dënime… por i ka rezistuar deri tani kohës si sistem pragmatist, mori shumë prej socializmit dhe të paktën arbitraritetin nga lart e kufizon deri diku. Koha do të tregojë për më tej.
Ajo që nuk shkon, sidomos me “demokracinë” tonë është fakti se nën preteksin e mospërsosmërisë, klasa politike abuzon ku mundet dhe për të fshehur zullumin dhe imunizuar vetveten nga ndëshkimi ligjor, tenton të deformojë dhe shtyllat e tjera të sistemit demokratik nga ekonomia, vota, drejtësia etj.
Përtej llafeve, 3 dekada dalin e teprojnë për të konkluduar se shumë gjëra negative në tranzicion kanë ndodhur jo nga mungesa e eksperiencës demokratike (perëndimi i ofroi të gatshme modelet) por nga prirja për pasurim të menjëhershëm me çdo çmim dhe/apo nënshtrimi ndaj interesave antishqiptare në rajon. E vetmja mungesë eksperience e politikës sonë ka qënë ajo e abuzimit me pushtetit sepse dje monizmi ishte ndërtuar i tillë që nuk mundësonte abuzime spektakolare si më sot.
Monizmi u rëndua me pa të drejtë i tëri si sistem nga disa anë jo pozitive që e shoqëruan atë ndonse anë negative ka normalisht çdo sistem. Sot, për shkak të abuzimit të klasës politike, nuk duhet bërë i njëjti gabim e të damkoset apriori demokracia si sistem. Kjo fatkeqësisht po ndodh dhe njerëzit ose mërmërësin çdo ditë nëpër dhëmbë tek shkojnë në hallin e tyre ose ia çajnë jashtë ku të munden për të mos u kthyer më.
Vrasja e shpresës është dëmi më i madh që politika abuzive shkaktoi në këtë vend dhe ringjallja vjen më së pari me lirinë reale të votës (prologu i reformave jetike në vënd – prona, admnistrata, drejtësia etj). Kjo është e lidhur ngushtë me sistemin zgjedhor që garanton qeverisje e politikë në shërbim të qytetarit verdiktin për të cilin, pas tre dekadash katrahurë të politikës, duhet t’a japë qytetari në referendum.
Shpresa në fije “kashte”
Për t’i dhënë shpresës sadopak shpresë në vënd ka rëndësi si qeverisja reformatore ashtu dhe një opozitë që rigjenerohet dhe bart të renë. Për fat të keq, ndërsa qeveria e sotme deri diku po punon dhe po reformon (me reformën e “pamundur” në drejtësi si kryefjalë), opozita është sërisht në “bërthamë” e keqja që mezi u largua me votë dhe si e tillë po i vë shkelmin final shpresës në këtë vënd sepse nëse qeveria e bën baltë, nuk kemi derë tjetër ku të trokasim për të bërë gjërat më mirë. Sa kohë nuk ka opozitë shpresëdhënëse, nuk ka më shpresë dhe nga halli i kemi vënë të gjitha “vezët” në shportën e qeverisë.
Por si qeveria, ashtu dhe opozita, fundja janë jashtë kontrollit të qytetarit, përveçse ditën e votimit dhe këtu është thëmbra e Akilit. Vetë votuesi ka kusuret e tij dhe është i pashmangshëm edhe votimi “pilat” apo kundërproduktiv por ndërkohë ajo që është e papranueshme është intimidimi nga lart dhe nëpërkëmbja e votës prej politikës. Ndaj, përtej faktit se si qeveriset apo sesi bëhet opozitë, rëndësi ka që vota të marrë peshën e duhur dhe qytetari, ditën e votimit t’i japë vetë shpresë vetvetes ndërkohë që qeveria apo opozita ia vrasin katër vjet atë.
Por fatkeqësisht, vota ka kohë që ka dalë nga kontrolli i qytetarit dhe kjo jo rastësisht por si përpjekje tinzare e politikës së përfolur të ditës që me ligj zgjedhor, marketing politik, financat etj, bën çmos për të garantuar vijimësinë e saj në politikë e pushtet për të qënë në gjëndje të kontrollojë ligjshmërinë në këtë vënd dhe imunizojë vetveten përjetësisht.
Duke “vjedhur” votën dhe duke provokuar anarki me pronën e ekonominë në vënd, politika ka institucionalizuar klimën e mbijetesës në vënd që më tej nxit klientelizmin, militantizmin, mitizimin e liderit etj duke bërë që situatën ta ketë gjithnjë nën kontroll.
Kollaj të thuhet se me një drejtësi të pavarur e efikase, kushdo do të mund të mbrojë të drejtat e tij dhe politika nuk do të mundet më të fshehë abuzimin e saj. Por në fund të fundit, drejtësia funksionon mbi bazën e ligjeve dhe vetë ligjet i miraton po kjo politikë kulisash që kërkon me ngulm të fshehë dhe trashëgojë abuzimin e plaçkën e vjedhur të saj.
Ndaj, përtej një drejtësie të pavarur, rëndësi ka dhe legjislacioni i drejtë që hartohet e miratohet nga politikanë korrektë dhe dinjitozë që ndodhen në parlament jo se i krehin bishtin liderit të partisë por se kanë besimin e elektoratit dhe i shërbejnë atij pa kompromis.
Votë (referendum) për votën!
Thelbi i një sistemi demokratik të drejtë e ka fillesën tek prona që çliron ekonominë dhe vota dhe liria e saj që garanton më pas një parlament të përgjegjshëm dhe realisht përfaqësues. Nuk kemi nevojë për arnime zgjedhore por reformim real të kodit zgjedhor. Llogjet e sotme për reformë zgjedhore janë thjesht përpjekje për një makiazh të po këtij sistemi të sotëm të padrejtë “spanjoll” ku qytetari voton për lista që ia servir partia, me pak përjashtime deputetët kllounë janë “klone” të liderit të partisë dhe haset “mumifikimi” i cave që janë aty prej fillimeve të viteve 90.
Vëndi ka nevojë për një ligj zgjedhor ku të ketë garë reale në terren dhe vota të jetë nominale dhe jo në “thes”. Vetë përvoja jonë e fillimit demokratik ka treguar se ai mazhoritar me dy raunde është më efektivi. Alibitë e rrezikut të të “fortëve” në zonat zgjedhore janë demode sepse nëse thuhet se një drejtësi efektive në të ardhmen do u gjejë vëndin edhe liderave “popullor” nëse kapen në abuzim, të “fortët” e lokalitetit nuk janë fare problem. Plus, më mirë të kemi figura që gëzojnë mbështetje të fortë në bazë se sa “figura” qëndrore që futen me lista kulisash në parlament, mitizohen atje ndërkohë që nuk kanë fare qeder për votuesin gjetiu.
Por, a është e prirur politika e zullumit të ofrojë kushte për garë reale zgjedhore? Do të ishte vetvrasje për të. Si e diskretituar, do të binte nga “fiku” politik e do ishte “kafshatë” e lehtë për drejtësinë. Ndaj qytetaria në këtë vënd, shoqatat e pavarura jo qeveritare, media e pakapur etj duhet të ngrenë zërin dhe bëjnë presion për të ndaj parlamentit, përfaqësuesve diplomatikë, institucioneve të BE etj.
Pikën mbi “i” do e vinte një referendum popullor për sistemin e votimit në këtë vënd. Qytetari duhet të zgjedhë mes sistemit a) mazhoritar dhe atij b) proporcional dhe vetëm më tej, politika mund të bëjë përshtatjet apo plotësimet përkatëse (psh. mazhoritar me korrektim kombëtar, pragu etj) duke votuar për variantin më optimal, gjithnjë brënda llojit të sistemit që populli votoi. Një votë për votën që t’i jepet fund dhe sagës së rekomandimeve nga jashtë dhe komisioneve ad-hoc çdo katër vjet dhe votuesi të mos ketë më kë të fajësojë, përveçse veten! Por dhe kjo, të paktën për katër vjet dhe jo me breza si këto 30 vjet.