Nga Veton Surroi
Kosova është ende hapësirë e vajtimeve të pavajtuara.
1.
Dy prej indikatorëve se zgjedhjet afrohen në Kosovë – sikur fluturimi i dallëndysheve në jug që paralajmëron ardhjen e dimrit – janë vizitat e prijësit të PDK-së nëpër spitale për të treguar se si do të rregullohen nga pushteti i ardhshëm dhe rrëfimet e aktivistëve të LDK-së për vrasjet politike të pasluftës.
Nuk kemi parë ende shpeshtim vizitash dëgjimore të prijësit a prijësve të PDK-së për të kuptuar se sa është në gjendje të keqe shëndetësia, në mënyrë që të premtohet përmirësimi i dukshëm i saj me kryeministrin e ardhshëm që do ta japë PDK-ja, por përnjëherë gufuan rrëfimet për vrasjet politike, gjatë dhe pasluftës. Në narracionin shqiptar të Kosovës, kur thuhet vrasje politike, dy gjëra janë të nënkuptueshme (ndonëse jo edhe të vërteta): një, se viktimat janë shqiptarë dhe, dy, se janë anëtarë të LDK-së. E vërteta është se vrasje politike ka pasur ndaj çdo etnie, dhe në veçanti të romëve, të cilët janë vrarë përpjesëtimisht më së shumti për shkak të gabimit të tyre të pafalshëm politik, ngjyrës së lëkurës. Edhe racizmi është politik apo jo?
Sidoqoftë, gufuan sërish rrëfimet për vrasjet politike (të shqiptarëve, anëtarë të LDK-së) dhe nuk është me rëndësi për këtë shkrim se paralelisht nuk po ka aq shumë vizita spitaleve dhe ambulancave nga eprorët e PDK-së, sepse në fund, pati apo jo zgjedhje, hyrja në stinën e rrëfimeve për vrasje kallëzon më vete për një rezultat evident: ciklet zgjedhore nuk po i mbyllin këto rrëfime në valixhe kujtimesh të pluhurosura.
Zgjedhje pas zgjedhjesh del në sipërfaqe pasditja e vonshme e gazetarit dhe shkrimtarit Xhemë Mustafa në të kthyer në banesë, dhe vrasja në pragun e saj, momenti kur ikin dritat në Pejë dhe kur e përpin terri i mortit inxhinierin Smajl Hajdaraj para shtëpisë së tij apo momenti kur nga shtëpia e tij në Drenicë merret mësuesi Haki Imeri, për t’u kthyer disa ditë më vonë si kufomë.
2.
Ka me dhjetëra këso rrëfimesh që me kokëfortësi vazhdojnë të jetojnë.
Nuk u është gjetur zgjidhja deri më sot. U provua me frikësim. Për disa vjet me radhë qe rrezik të flitej për këto raste: ajo apo ai që përmendte emrat e të vrarëve e nuk ishte familjar i tyre diku thellë mbante frikën se terri i mortit do ta vizitonte edhe atë. Për disa vjet të tjerë pastaj u zgjodh injorimi: le të flitet lirshëm për viktimat, fundja me to merret drejtësia e UNMIK-ut, EULEX-it apo ajo e Kosovës, që të gjitha me rezultat të njëjtë prej zeroje. Për disa vjet të tjerë u zgjodh edhe një lloj pajtimi i heshtur se kjo qe vetëm një episod i keq i një së kaluare brilante: LDK-ja bëri koalicion me PDK-në duke mos përmendur as Xhemë, as Smajl e as Haki deri ditën kur u prish koalicioni dhe filloi stina e ngutur e rrëfimeve për vrasjet.
3.
Në kodin mesjetar shqiptar mund të gjendet interpretim i thjeshtë për kokëfortësinë e rrëfimeve për vrasjet. Në kontekstin e vrazhdësinë e asaj kohe, rrëfimi për vrasjen rehatohet kur për të merret haku. Përderisa të mos ndodhë kjo, rrëfimi ecën i papenguar, duke kërkuar hakun.
Kodi i shtetit qytetar e ka formësuar këtë me ndërmjetës dhe hakun më nuk e merr familja e viktimës, por institucionet e shtetit. Një herë e dënuar, vrasja nuk prodhon më rrëfim të pafund meqë dënimi konsiderohet të jetë fundi.
Rrëfimet kosovare janë në hapësirën ende të papërcaktuar mes kodit mesjetar dhe shtetit qytetar, ende mes të kërkuarit të hakut dhe nevojës për akt drejtësie të ndërmjetësuar nga shteti. Për fat të mirë, hapësira e ndërmjetme është e një shoqërie që nuk do të kthehet në kurthin e të kërkuarit të hakut, gjak për gjak. Për fat të keq, hapësira e ndërmjetme nuk është ende e një shteti qytetar që me institucione të pandikuara personale jep drejtësi.
Këto rrëfime të Kosovës gjenden sot në hapësirën traumatike që përshkroi babai i psikanalizës Sigmund Freud në fillim të shekullit XX, në “Mbi vajtimin dhe melankolinë”. Sipas tij, njeriu kur e trajton me vetëdije vdekjen – i kupton rrethanat, arsyet, procesin – kalon nëpër një proces vajtimi pas të cilit vazhdon jetën. Atij që i mungon ky trajtim me arsye zhytet në melankoli.
Rrëfimet e vrasjeve kosovare janë të pazbërthyera. Nuk janë zbardhur rrethanat, arsyet, përgjegjësit. Për familjet e të vrarëve janë pjesë të një melankolie, madje të një melankolie e cila tashmë është kolektive, kosovare. Çdoherë që vendi hyn në stinë të rrëfimeve për vrasjet, hyn në stinën e vet të melankolisë, të vajtimit të pavajtuar.
4.
Ky i vrasjeve politike nuk është i vetmi vajtim i pavajtuar i Kosovës. Paralel me të është edhe ai të zhdukurve – fëmijë, gra e burra – që u morën prej anëtarëve të tjerë të familjes dhe ende nuk u janë kthyer, as si kufomë, as si kockë e fije flokësh. Si dhe me vrasjet politike nuk do të bëjnë gjë as frikësimi, as injorimi e as mbështetja tek drejtësia e UNMIK-ut, EULEX-it apo institucioneve të kapura të drejtësisë në Kosovë. Rrëfimet e të zhdukurve, rrëfimet e të dhunuarave, rrëfimet e një lufte që nuk gjeti zbërthim, arsyetim e përgjegjësi, do të vazhdojnë derisa ta mbërrijnë fundin e tyre, atë të një verdikti juridik e politik, një akt që njeh viktimën si viktimë dhe viktimizuesin si viktimizues.
Kur isha deputet i Kuvendit të Kosovës në një rast diskutova për nevojën që Kuvendi ta adresojë çështjen e të zhdukurve. Një kolege, dashamire, e një subjekti që atëherë ishte në koalicion të pushtetit, më tha, privatisht e me zë të ulët se “ata” (partitë e tjera që kishin dalë nga lufta) nuk ishin të interesuar për të zhdukurit shqiptarë, sepse me këtë do të hapej edhe tema e të zhdukurve të tjerë, serbë e romë. Dhe kështu qe zhvilluar një përputhje e çoroditur interesash mes pushtetit në Serbi dhe pushtetit real në Kosovë: nuk do të kishte shpupurishje të të zhdukurve e të të vrarëve pas luftës, le të mbeten për stinët e rrëfimeve vrastare.
5.
Përputhja historike do ta dojë që një ditë, e afërm të jetë a jo, shoqëria kosovare të ballafaqohet me këto rrëfime, duke zbuluar se si ndodhën vrasjet, në çfarë rrethanash, me çfarë përgjegjësish. Do të kuptojë edhe për Xhemën, Smajlin e Hakiun, edhe për të gjithë ata që ende janë të zhdukur e të pakthyer qoftë si kufomë a kockë, a fije flokësh. Do të kuptojë edhe për ata që patën faj madhor ngjyrën e lëkurës apo gjuhën që dallohej prej asaj shqipe.
duhet ta mbërrijnë fundin e tyre të natyrshëm, jo bredhjen e papenguar prej njërës në stinën tjetër të rrëfimeve vrastare.