Një panel ekspertësh ka bërë një vlerësim të ftohtë dhe të hidhur për strategjinë e mbrojtjes kombëtare të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Roli global që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur për shumë breza, tani qëndron mbi themelet e një fuqie ushtarake të pakrahasueshme”, thuhet në raportin e tij. “Sidoqoftë, sot, marzhi ynë i superioritetit është zvogëluar shumë në fusha të ndryshme”.
Megjithatë, studimi këmbëngul se ka sfida urgjente që duhen adresuar, nëse Shtetet e Bashkuara duan të evitojnë dëmet afatgjata në sigurinë e tyre kombëtare.
Komisioni për Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes u ngarkua nga Kongresi të përpilonte një raport të pavarur mbi strategjinë e mbrojtjes së administratës “Trump”. Komisioni kryesohej nga Eric Edelman, një ish-zyrtar i Pentagonit në administratën e George W. Bush, si dhe admirali Gary Roughead, ish-shef i operacioneve detare.
Të dy ata janë njohës të mirë të buxhetit të mbrojtjes, por edhe korridoreve të Pentagonit. Ardhja e presidentit Trump në detyrë koinçidoi me një devijim të prioriteteve ushtarake të Shteteve të Bashkuara, larg operacioneve antimilitantë dhe luftës kundër terrorit, drejt një fokusimi të ri te konfliktet e mundshme me vende si Rusia apo Kina.
Edhe kërcënimet nga Irani dhe Koreja e Veriut përfaqësojnë një sfidë të re dhe të rrezikshme. Ndërkohë që Presidenti Trump po distancohet edhe nga aleatët, me aleancën e NATO-s të frustruar nga qëndrimet e tij.
“Ne nuk jetojmë më në një botë ku dallimi mes paqes dhe luftës është i qartë. Hapësira mes këtyre dy termave absolutë është mbushur me një seri kërcënimesh, që nga operacionet e zbulimit, vrasjet politike, sulmet kibernetike etj.”.
Përballja me këtë spektër të ri dhe kompleks kërcënimesh, kërkon – sipas studimit, – strategji të reja.