Një ditë përpara përfundimit të edicionit të 21 të Panairit të Librit, janë ndarë çmimet e këtij viti. Juria e përbërë nga 5 anëtarë: Lili Sula, pedagoge në UT, Shefe e Departamentit të Letërsisë (Kryetare e Jurisë), Agim Baçi – kritik letrar, Arta Marku – gazetare e kulturës, përkthyese, Ledia Dushi – përkthyese dhe Rudi Erebara – shkrimtar për afro 3 muaj është mbledhur për të përzgjedhur veprat më të mira.
Çmimi i karrierës iu dha shkrimtarit Kim Mehmeti me motivacionin: “Për stilin origjinal në krijimin e polifonisë artistike që karakterizon romanin Pusi, si dhe gjithë veprën e tij letrare.”
Çmimet e tjera:
Çmimi për krijimtarinë origjinale më të mirë të vitit i jepet autorit Brajan Sukaj me romanin “Ciklopi”, me motivacionin: “Për ndjeshmërinë e thellë njerëzore të përcjellë përmes një ligjërimi sa real aq edhe fantastik.
Çmimi për përkthimin më të mirë i jepet znj. Donika Omari për përkthimin e romanit Nga ana e princeshës së vdekur, të autores Kenize Mourand, me motivacionin: “Për shqipërimin dhe gërshetimin mjeshtëror të identitetit gjuhësor dhe artistik.”
Çmimi inkurajues i jepet autores Iva Nikolli për romanin Vetëm për ty, me motivacionin: “Për befasinë dhe origjinalitetin në kërkimin dhe përshkrimin e njerëzores.”
Çmimi inkurajues i jepet autores Flogerta Krypi për librin “Gjithçka rreth asgjësë”, me motivacionin: “Për befasinë dhe origjinalitetin në kërkimin dhe përshkrimin e njerëzores.”
Çmimi për përkthimet nga frëngjishtja, dhënë nga Ambasada Francese shkoi për Ilia Lengu për “Të drejtët”- A.Kamy
Çmimi Special i jepet Zef Skiro Di Maxha për librin “Poemat arbëreshe”.
Për këtë edicion të Panairit të Librit, juria ka pasur në shqyrtim 131 vepra, 50% kanë qenë vepra të shkruara në shqip dhe 50% në gjuhë të huaj. Kanë mbizotëruar në këtë panir vepra të përkthyera nga gjuhët europiane si italishtja, gjermanishtja, anglishtja dhe frëngjishtja më shumë.
Stendat në këtë edicion të Panairit të Librit kanë më shumë krijimtari dhe vepra të përkthyera, ndërsa lexuesi është shumë më tepër i orintuar për të lexuar letërsinë e pëkthyer dhe autorë të huaj.
Rreth 70 % e librave që juria ka marrë në shqyrtim ka qënë në prozë, ku sundon zhanri i romanit.
Tipar i këtij ediconi është letërsia për fëmijë, që vjen shumë mirë e përkthyer, por ka shumë pak letërsi origjinale artistike.