Përgatitjet, më 9 maj të vitit 1941, në Kishën ortodokse të qytetit, nga ana e “bullgarëve”, për të bërë një marsh protestues, përfundoi me një përleshje të madhe mes tyre dhe shqiptarëve. – Radio Sofja informoi për këtë ngjarje, duke dezinformuar se: “Në Tetovë ishte derdhur gjaku bullgar deri në gju”, për t’u demantuar më vonë ky lajm. – Gjermanët e zgjidhën problemin, lidhur me kërkesën e bullgarëve për ta marrë pushtetin në Tetovë, duke ngritur zyrtarisht flamurin shqiptar në ballkonin e godinës së komunës, krahas me atë gjerman dhe italian. – Pas këtij akti, edhe organizata kombëtare “Besa” ngriti në sheshin e Tetovës flamurin shqiptar, para qytetarëve të ngazëlluar.
Nga Ismail Arsllani
Disa ditë para hyrjes së trupave italiane në Tetovë, në fillim të majit të vitit 1941, qytetarët me përkatësi bullgare, të cilët me padurim pritnin hyrjen e armatës bullgare në qytet, ishin tepër të tendosur. Ata ishin mbledhur në shenjë revolte në Kishën ortodokse, në pjesën e lagjeve “Kolltuk” dhe “Varosh” të Tetovës, prej nga do të marshonin për në sheshin e qytetit. “Gruaja e njëfarë gjyqtari Tadiq, e cila kishte qenë fqinje me shtëpinë e Haxhi Haki Lumës, njofton se bullgarët janë mbledhur në Kishën e qytetit, ku mbajnë meshë për nder të 72-vjetorit të mbretit italian Viktorio Emanuel III, ku do të kërkojnë publikisht kthimin e pushtetit bullgar në Tetovë”, ka shënuar në ditarin e tij, për ato ditë dramatike, mësuesi tetovar, Shefqet Sulejmani. Për këtë paralajmërim, Haxhi Hakiu njofton Abdullah Xhemilin (Jusufin), veprimtarin e “Besës”, kurse ky ia përcjellë lajmin kreut të organizatës, për atë se “bullgarët do të marshojnë drejt ndërtesës së Komunës së Tetovës dhe do të kërkojnë që Tetova të mbetet nën okupimin bullgar”.
Organizata patriotike atdhetare “BESA” në Tetovë, menjëherë aktivizon anëtarët e vet, me qëllim që të ftohet populli shqiptar të dalë në sheshin e qytetit. Ndërkohë, disa të rinj shkojnë edhe nëpër fshatra më të afërtë, për t’i ftuar që të vijnë sa më parë në qytet.
“Pas një kohe, bullgarët, të rreshtuar në kolonë me nga 8 veta, në krye me flamurin bullgar, gjerman dhe italian, që përcillej me muzikë, marshojnë drejt komunës. Në ato momente, Haxhi Hakiu, për vetëmbrojtje të qytetarëve shqiptarë blen prej një katundari dy turra me hunj, që i kishte shkarkuar nga gomari para portës së Xhamisë së Çarshisë, në sheshin e qytetit. Kur kolona kishte arritur në shesh, shqiptarët ishin të përgatitur për vetëmbrojtje nga bullgarët e tërbuar”, shpalos kujtimet mësuesi Shefqet Sulejmani.
Pas provokimeve të rënda nga bullgarët, shkaktohet një rrahje mes shqiptarëve dhe bullgarëve, me ç’rast njëri prej shqiptarëve (Abaz efendiu), e kishte grisur flamurin bullgar. Kishte pasur mjaft të rrahur shqiptarë. Gratë nga turma bullgare piskasnin, duke krijuar një panik të madh në mesin e tyre. Në ato momente intervenojnë ushtarët italianë, duke e rrethuar sheshin e qytetit, megjithëqë disa bullgarë më këmbëngulës shkojnë deri te ndërtesa e komunës, me flamuj në duar.
Këtë situatë anarkie, para hyrjes së italianëve në Tetovë, e kishin qartësuar për një çast vetë komandantët gjermanë dhe italianë, të cilët kishin hipur në ballkonin e Komunës së atëhershme të Tetovës, e cila ishte e postuar në pjesën lindore të Shtëpisë së sotme të kulturës në Tetovë, ku kishin dalë me tre flamuj të gjatë: me atë gjerman, italian dhe me flamurin shqiptar. Me këtë gjest, pushteti (protektorat) italian ua kishte bërë me dije qytetarëve bullgarë, se italianët e kanë nën administrim qytetin. Pas disa ditësh, italianët e marrin në dorëzim Tetovën, prej gjermanëve. Me ngritjen zyrtare të flamurit shqiptar nga ana e gjermanëve dhe italianëve, paralajmërohej se pushteti do t’u dorëzohet shqiptarëve.
Në këtë përleshje, duhet të përmendet trimëria e Abaz ef. Muhedinit, i cili, megjithëse në moshë të thyer, kishte arritur të grisë flamurin bullgar, gjë që i kishte dhënë moral masës shqiptare të grumbulluar në shesh. Radio-Sofja atë natë kishte raportuar nga Tetova gjoja se “ishte derdhur gjaku bullgar deri në gjunjë”, ndonëse në këtë zënkë nuk kishte pasur asnjë të plagosur rëndë. Këto lajme të radios shumë shpejt ishin demantuar.
Pas kësaj ngjarjeje dramatike, vazhdon me rrëfimet në Ditarin e tij, mësuesi Sulejmani, organizata kombëtare “BESA” kishte filluar përgatitjet për ngritjen e flamurit shqiptar në Tetovë edhe nga ana e saj, për çka ishte angazhuar Abdurrahman Tresi, që të vizatojë shqiponjën dykrenore për flamurin. Ai këtë punë e kryen me ndihmën e Abdullah Jusufit (i biri i Xhemil Efendisë) dhe Vejsel Hyseinit. Abaz ef. Muhedini, nga dyqani i vet, kishte dhuruar një top pëlhurë me ngjyrë të kuqe, për t’i përgatitur flamujt kombëtarë. Për herë të parë, flamuri shqiptar ishte përgatitur në punëtorinë e rrobaqepësisë të Idriz Ibrahim-Cërcërit, i cili, në atë kohë, ishte kryetar i organizatës “BESA”. Kur u shtyp flamuri i parë, të pranishëm kanë qenë Idriz Cërcëri, Hysein Xhaferi, Shefqet Sulejmani, Abdurrahman Tresi dhe Lazër Berisha (një profesor i ardhur nga Kosova).
“Pasi ishte shtypur flamuri i parë, më 9 maj të vitit 1941, atë e mori Mahmut Ahmet Zeqiri, i cili, bashkë me disa patriotë të tjerë, doli jashtë, ku priste populli. Ai hipi në godinën e Vakëfit të Xhamisë së Çarshisë, që gjendej në sheshin e qytetit, prej ballkonit të së cilës ngriti flamurin shqiptar, derisa populli brohoriste nga gëzimi dhe entuziazmi. Kjo ishte ngritja e parë zyrtare e flamurit shqiptar nga vetë shqiptarët e Tetovës, ndërsa anëtarët e organizatës “BESA” festuan këtë si një sukses të madh të tyre”, kujton në shënimet e tij, për këtë fazë të veprimit të organizatës “Besa”, mësuesi Shefqet Sulejmani nga Tetova.