Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kryetari Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela kanë udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vizita e liderëve të opozitës shqiptare në SHBA është organizuar nga Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoni e drejtuar nga Xhevat Prespa. Ata sot kanë zhvilluar një takim në Departamentin e Shtetit. Në vazhdim keni komunikatën e LDSHM-së për këtë takim:
Sot, me 28 Nëntor takim shumë i rëndësishëm në DASH (Departamentin Amerikan të Shtetit)”
Kryetari i LDSHM-së së bashku me kryetarin e Lëvizjes BESA z. Bilall Kasami dhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët z. Ziadin Sela takuan zonjën Susan F. Falatko, drejtoren e zyrës Jugore Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) ku u bisedua rreth ndryshimeve në kushtetutën e Maqedonisë. Me qëndrim të përbashkët e bëmë të qartë se pa status shtetformuese të Shqiptarëve në kushtetutën e Maqedonisë, në këtë shtet nuk mund të bëhen reformat! Pa stabilitet politik nuk mund të ketë stabilitet ekonomik.
Shërbimi për informim i LDSHM-së SHBA/Evropë
Uashington, 28.11.2018
Për takimin në Departamentin e Shtetit një njoftim për mediat është dërguar edhe nga Zyra për informim e Lëvizjes Besa:
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami po qëndron në SHBA, ku do të zhvilloi takime me Departamentin Amerikan të shtetit.
Kryetari Kasami sot ka qëndruar në SHBA duke realizuar takim në Departamentin e Shtetit Amerikan dhe atë me drejtoreshën e zyrës për Evropen Jug Qendrore, Susan K. Falatko.
Ky takim është realizuar për pranimin e kërkesave të opozitës shqiptare që kanë të bëjnë me avansimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Kasami bashkë më përfaqësuesit e LDSHM-së në krye me Xhevat Prespën, njoftuan drejtoreshën Falatko për kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe inkorporimin e tyre në ndryshimet kushtetues që janë në procedurë parlamentare.
Kasami gjatë qëndrimit disa ditor në SHBA pritet të takohet edhe me kongresmenë dhe përfaqësues të rëndësishëm në jetën politike të SHBA-ve.
Zyra për informim/ Kabineti i Kryetarit Bilall Kasami
Lëvizja BESA 28.11.2018