Ndërsa e gjithë bota po shkon drejt ekonomisë pa cash, duke e kufizuar në minimum përdorimin e parasë fizike, në Shqipëri po ndodh krejt e kundërta. Paraja jashtë kanaleve bankare është rritur në mënyrë të pandalshme vitet e fundit.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit shtator, në vend qarkullonin 269 miliardë lekë, ose rreth 2.1 miliardë euro cash.
Kjo shumë është sa 21.5% e totalit të parasë që qarkullon gjithsej në vend, duke arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2009, pra në 9 vjet. Në periudhën 2008-2009 u konstatua një rrjedhje e depozitave nga sistemi bankar për shkak të frikës që u shkaktua në atë kohë nga efektet e krizës ekonomike globale.
Ndërsa niveli më i ulët i saj ishte në tetor 2013, në rreth 16.7% të parasë gjithsej në qarkullim.
Sa më shumë para cash të qarkullojnë në ekonomi, aq më i lartë është informaliteti i vendit. Rritja sërish e këtij treguesi vitet e fundit është një dëshmi indirekte se një pjesë e madhe e transaksioneve në vend kryhen jashtë kanaleve bankare.
Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë ndikuar është edhe rënia e interesit të depozitave në lekë, që ka dekurajuar kursimet në monedhën vendase në banka. Të dhënat e shtatorit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në krahasim me janarin e vitit 2014, kursimet në lekë të individëve janë reduktuar me gati 137 miliardë lekë, ose 1 miliard euro (nga 376 miliardë lekë në janar 2014, në 239 miliardë lekë në fund të shtatorit të këtij viti).
Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte 7.4% në fund të tetorit 2018, me një rënie në krahasim me një vit më parë, kur ishte 8.2%, sipas të dhënave që i referohen shtatorit 2017. Në Serbi ishte 6.8% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe, që i referohen tetorit 2018.