Nga Andi Bushati
Edi Rama i është përgjigjur me një mendësi prej matrapazi, njërës prej protestave më xhenuine, më inteligjente dhe më të çiltër që prej kohës të armëve kimike. Si një tregëtar vogëlsirash ai ka ngritur pyetjen përpara taksapaguesve: A jeni të gatshëm ju të derdhni paratë për studentët që ngelen në klasë?
Në theb, ai, me këtë gjuhë ka folur për çdo protestë, duke kundërvënë qoftë “zaptuesit e trojeve” tek unaza e re, qoftë kuksianët që kundërshtonin traun në rrugën e kombit, me pjesën tjetër të shqiptarëve.
Alibia e tij ka qenë se askush prej tyre nuk mund të përfitojë nga shuma e parave me të cilën paguhen, infermierët, mësuesit apo ushtarakët.
Në fakt, këta skrupuj për kursimin e të ardhurave tona, do të qenë normale për çdo kryeministër të virtytshëm mbi tokë, i cili mer detyrën me makthin e atij që vigjëlon mbi pasurinë e përbashkët.
Në emër të këtij shqetësimi edhe Edi Rama mund të merrte në dorë thuprën e financierit, për të ndëshkuar ata studentë që protestonin sot, por që futen pa lexuar asnjë resht në provime, duke u tallur me atë sistem dhe me ata petagogë që paguhen me para publike.
Me të njëjtën të drejtë, ai, mund të fshikullonte zaptuesit e dikurshëm të tokave te Unaza, që nuk do duhej të dëmshpërbleheshin me punën dhe djersën e atyre të tjerëve, që kanë luajtur gjithë jetën rolin e qytetarit të ndershëm.
Pra, po ta dëgjonte një njeri i zbritur nga një planet tjetër, pa dyshim që do i duartrokiste argumentat e kryeministrit tonë.
Por, këtu në Shqipëri, ekuacioni është pak si mbrapsht. Pasi pretendimi i kursimtarit të vyrtytshëm është vetëm një fabul e rreme.
Ai, që sot përbetohet për kontributet e taksapaguesve, është i njëjti që i derdh çdo vitë miliona euro për analiza të pakryera koncesionit të Check-up.
Eshtë i njëjti që dha 5 milionë euro tek privatët e inceneratorit të Fierit, ndërkohë që ata nuk kishin vëne ende një tullë mbi tokë.
Eshtë i njëjti që, siç do të vërtetohet shumë shpejt, po degdis me miliona euro në parajsat fiskale me kompanitë off shore që ka shpallur fituese tek Unaza e re.
Eshtë i njëjti që ka emëruar investitorë strategjikë të përjashtuar nga taksat milionerët më të mëdhenj të këtij vendi.
Eshtë i njëjti që po fal 200 milionë euro me biznesin e ndërtimit në truallin publik pas Teatrit Kombëtar.
E pra, mjaftojnë këta shembuj për të treguar se qëllimi i kryeministrit të të pasurve, nuk është të ruajë paratë tona të përbashkëta. Filozofia e tij është t’i bëjë oligarkët edhe më të kamur dhe të pambrojturit edhe më të shtypur. Prandaj ai nuk mendohet aspak t’u marrë edhe centimin e fundit, studentëve, banorëve të Unazës së re, shoferëve të rrugës së kombit, ndërsa e zbras thesin bujarisht për përfituesit e koncesioneve PPP-ve dhe tenderave që i zhvillon pa garë.
Po të shikohet në këtë prizëm edhe protesta e studentëve që duhet të paguajnë pasi ngelen në klasë është po aq e drejtë sa edhe ajo e banorëve që kërkojnë dëmshpërblim me gjithëse kanë ndërtuar pa leje.
Sepse ato i bashkon një fill i kuq. Ajo e anëtarëve të një komiuniteti që po trajtohet gjithnjë e më shumë si i dorës së dytë; si ajo e qytetarëve të cilëve u shtrëngohet përditë laku në fyt, për t’u rrëmbyer edhe qindarkën e fundit, që pastaj shkon në duart e dhjetë oligarkëve.
Në këtë kuptim, të gjitha këto mini revolta lokale që po shpërthejnë në vatra të ndryshme, nuk janë asgjë tjetër veçse preludi i një lufte që po frymëzon Edi Rama: asaj mes të pasurve dhe të varfërve.