Sopotasit kanë paditur shtetin. Institucioni Avokati i shtetit ka nisur procedurën. Alsat mëson se seanca e parë është caktuar më 24 dhjetor. Njoftimi i Avokatit të shtetit në këtë dikaster është dërguar më 28 nëntor. Megjithatë Ministria e Drejtësisë akoma nuk ka dhënë mendimin institucional lidhur me padinë edhe pse seanca është caktuar. Dikasteri i Renata Deskoskas njofton se në kabinetin e ministres nuk ka arritur asnjë shkresë dhe në momentin që do të kenë, do të njoftojnë opinionin. Drejtësia shkel afatet ligjore pasi që mendimi i kërkuar nga institucioni Avokati i shtetit obligon institucionet që në afat prej 5 ditëve të përgjigjen në përputhje me ligjin.Ndërkohë Avokati i shtetit në Qeveri ka dorëzuar kërkesë për marrëveshje mes palëve me qëllim anashkalimin e procesit gjyqësor dhe harxhimeve gjyqësore. Nga Qeveria thonë se kërkesa akoma nuk ka arritur, por nuk përjashtojnë mundësinë që të ndodhet në arkivin e organit ekzekutiv dhe se deri të hënën mund të pranohet nga kabineti i kryeministrit.
Pas mohimit të kërkesës për dëmshpërblimin nga ministria e Drejtësisë, Sopotasit vendosën të gjejnë zgjidhje gjyqësore. Avokati mbrojtës i tyre ka kërkuar dëmshpërblim prej 12 mijë denarëve për një dit të kaluar në burg. Alsat mëson se Gjykata Supreme ka caktuar vlerë të përgjithshme për rastet e dëmshpërblimit nga 3-6 mijë denarë për një ditë vuajtje në burg. Vlera e ofruar nuk është përcaktuar ekskluzivisht për rastin Sopoti por për të gjitha rastet gjyqësore ndaj shtetit. Në rast se Qeveria dhe Sopotasit arrijnë marrëveshje për dëmshpërblim, procesi gjyqësor merr fund në seancën e parë./Alsat-M