Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është i shqetësuar për procesin e ndryshimeve kushtetuese. Në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti ka deklaruar se zhvillimet e fundit e vënë në rrezik procesin i cili sipas tij mund të dëmtohet lehtë. Mes rreshtave, Ahmeti pretendon se arrestimet e fundit, përfshi edhe atë të ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, cenojnë shumicën prej 2/3.
Sikur kam një shqetësim. Ky është një proces shumë i rëndësishëm. Frikësohem të mos lëndohet nga pakujdesitë e institucioneve. Të mos krijohet përshtypja se procesi është mbyllur dhe ka përfunduar. Ky proces akoma është në zhvillim dhe duhet të gjitha institucionet shtetërore, ligjvënëse, ligj-zbatuese që të jenë të kujdesshëm dhe ta ruajnë nga ndonjë inflamacion i jashtëm sepse lehtësisht mund të dëmtohet imuniteti i këtij procesi”- tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
I pyetur për ish partnerin e tij të koalicionit, ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe arratisjen e tij, Ahmeti vlerëson se Gruevski duhet të ketë pasur arsyet të forta që të largohet. Megjithatë, i pari i BDI-së nuk ka besuar se ish partneri i tij qeverisës do të arratisej.
Nuk dua të spekuloj por nuk kam menduar se ai do të largohet nga shteti, mirëpo ai duhet t’i di arsye më të forta përse është larguar. Për të marr një vendim të tillë nuk është e lehtë. Pres që ai të bëj më shumë shpjegime për opinionin”- pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së .
Ndryshimet kadrovike dhe riformatimi i kabinetit qeveritar deri më tani nuk ka qenë pjesë e diskutimeve brenda partiake dhe mes partnerëve të koalicionit. Ahmeti vlerëson se proceset në vijim janë më të rëndësishme se sa riformatimi i Qeverisë. Sa i përket presidentit konsensual, Ahmeti shton se mes partnerëve të koalicionit ekziston ideja por me kreun e Qeverisë, Zoran Zaev akoma nuk është biseduar për detaje./alsat.m