Duke i përgjigjur pyetjes së Radio Evropës së Lirë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se për partinë e tij nuk ka ndonjë shqetësim edhe nëse përfshihet apo nuk përfshihet përkatësia etnike në regjistrimin e popullatës në vitin 2020. Sipas tij, me rëndësi është që të bëhet një ligj i pranueshëm për të gjitha palët.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te çështja e përqindjes së popullsisë dhe realizimit të një pjese të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni në bazë të përqindjes, cili është vlerësimi juaj rreth qëndrimit të drejtorit të Entit Shtetëror që gjatë regjistrimit të popullsisë, proces ky që duhet të realizohet gjatë vitit 2020, të hiqet paragrafi i përkatësisë etnike?
Ali Ahmeti: Grupet e punës janë takuar, sigurisht se të gjitha variantet janë duke i diskutuar. Për ne nuk ka ndonjë shqetësim edhe nëse përfshihet apo nuk përfshihet përkatësia etnike. Me rëndësi është që të bëhet një ligj i pranueshëm për të gjitha palët dhe këtë regjistrim të mos e politizojmë, njëherësh as mos i japim ngjyra partiake, por të bëhet një regjistrim komfor standardeve ndërkombëtare.
Por, sipas profesorëve universitarë, nëse gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe Kushtetuta e Maqedonisë, shkruan Portalb.