Ballina Aktualitet Reportazhe Fshati Rogle, vendbanimi me histori mijëravjeçare (VIDEO+FOTO)

Fshati Rogle, vendbanimi me histori mijëravjeçare (VIDEO+FOTO)

Nga Mr.sc Ismet Jonuzi-Krosi

ROGLE-LOGRI
RÓG/Ë, ~A f.sh. ~ A, ~ AT .
1. Lëndinë me bar në mes të pyllit a në faqe të malit; vend i zhveshur në mes të pyllit. Rogat e bjeshkëve. Kullotin bagëtinë nëpër roga.
2. Pjesë e zhveshur ose rrjepur; pullë; larë. Me roga të bardha (të zeza). Iu bë një rogë në kokë.
3. Në rogë të ballit, në mes të ballit, në lule të ballit.

LO/G,~GU m.sh. ~GJE, ~ GJET .
1. Lëndinë e vogël (zakonisht në mal a në mes të pyllit); shesh i vogël, vend i rrafshët. Logu i fshatit ( i kuvendit ). U mblodhën në log.
2. vjet. Shesh ndeshjesh ose lufte, mejdan. Doli në log të burrave.

3. U bë log diçka u zbulua, doli në shesh. E bëri log diçka e ngjeshi mirë, e rrasi dhe e bëri rrafsh e të ngjeshur.

Rogle, fshat i krishter, shtrihet në perëndim të Shkupit në nahinë e Shkupit.

1452/53 – kanë jetuar 12 familje,
1467/68 – kanë jetuar 11 familje,
1481/82 – kanë jetuar 11 familje dhe 3 vejushe,

1528/29 – kanë jetuar 13 familje,
1544/45 – kanë jetuar 12 familje dhe 1 i pa martuar si dhe më
1568/69 – kanë jetuar 9 familje, 5 të pa martuar dhe 2 vejushe .

Fshati Rogle gjendet në Derven të Epërm. Ka dëshmi që nga periudha e neolitit 6000-4000 vjet para Krishtit.

MAJA E KIKËS NË FSHATIN ROGLE

Maja e Kikës, shtrihet në kilometrin e parë nga Roglja në verilindje ku është kodra e lartë MAJA E KIKËS, pra pjesa e gjerë veriore me rramje të pjerrët mbaron në bregun e përroit FUSHA (hidroleksemë shqipe). Në veri bregu është shkëmbor-MURET E MARKUT, ku aty pari shtrihet rruga magjistrale nga Pollogu për në luginën e Shkupit. Është pikë strategjike ku kontrollohet dhe sipas nevojës ndalohet rruga në fjalë si dhe është zona kufitare në mes të Tetovës dhe Shkupit. Rëndësia strategjike e kësaj pike përkatësisht Muret e Markut ( ndërsa pushtuesit sllav e kanë pagëzuar karpallak). Historia e kësaj pike është për t’u studiuar, që sipas dëshmive në këtë grykë gjithmonë janë zhvilluar luftime të ashpra që nga antikitetit përkatësisht në kohën romake, bizante, osmane, Luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike,

Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore si dhe në vitin 2001. Këtë e përmenda me të vetmin qëllim që t’i përkujtoj historianët se edhe kjo trevë ka Grykën e lavdishme, për të cilën ende nuk është thënë asgjë, por unë nuk e kam për qëllim që t’i rrekem kësaj materie që është mjaft komplekse, andaj le të shërbejë si nxitje për ata, të cilët janë të lëmisë përkatëse.

Maja e Kikës, shtrihet në lartësi prej 360 m. prej rrugës që e dhe është karakteristike që përmenda më lartë. Ende hasen gurëthemele nga antikiteti i vonshëm i shekullit V dhe IV para Krishtit, dhe atë si copëza të ndryshme të qeramikës së kuqe antike dhe të rasave të vizatuara që përkojnë me kohën dardane. Këto dëshmi materiale që përkojnë me qytetërimin e antikitetit vonshëm (shek. V dhe IV para Krishtit), që mjerisht ende nuk janë bërë gërmime shkencore në një sipërfaqe prej 1.5 hektarësh.

Kështjella me fortifikatat e shumta nga ana veriore që janë me mure të forta dhe gurë të thyer me një lloj mallteri, ka një sipërfaqe katrore që mund të thuhet të pa rregulluar me një hapësirë diku 130 X 120 m.

Vetë gurëthemelet dëshmojnë për shumë objekte të mëdhaja që kanë patur karakter publik (krahaso kështjellën e Nicës që në qarqet shkencore njihet me emrin Sobri mbi Orashë të Poshtme) në vendin apo pikën më të lartë ka ekzistuar kishë e lashtë ilire me podium dhe me mozaik (që ndoshta edhe mund të ketë qenë ndonjë bazilikë), ku afër kishës në një fortesë sipas të gjitha fakteve dhe gjurmëve kanë shkrirë qelqin e lashtë, të cilin e kanë ngjyrosur me krom-oksigjen me çka edhe i kanë lyerë kockat e prera nëpër muret e mozaikëve, që deri më sot janë deshifruar pesë ngjyra që është karakteristike si punëtori ngase ende nuk është gjetur ndonjë punëtori e këtillë në këto anë.

Gjithashtu në këtë kështjellë Ilire në pjesët; lindje, verilindje dhe pjesërisht në rramjet e anës jugore nëpër disa terrasa shtrihen-gjenden ndërtime ku hasen shumë elemente të vorbëtarisë së periudhës së vonshme romake, me çka dalin në pah elementet e minierës. Sipas gojëdhënave thuhet se janë gjetur monedha të periudhës së antikitetit të vonshëm për të cilat duhet hulumtuar.

Nga këto të dhëna dhe këto dëshmi të pakta, mund të konstatohet se bëhet fjalë për një kështjellë kyçe (me rëndësi të shumëfishtë) që e ka patur në kontrollin kryesor nga fushëgropa e Pollogut në atë të Shkupit.

MURI I MARKU

Muri i Markut, shtrihet karshi kështjellës me funksion karakteristik ngase në pjesën veriore e ndalën lugun e lumit (më mirë thënë të përroit) Fushë dhe rrugën që lidhet në dy anë.
Në majë të kodrës ende gjenden gjurmë të murit me gurë që dikur e ka kontrolluar hapësirën e rrumbullakët prej nga është vëzhguar shpërndarja e vendbanimeve përreth.

Në pjesën jugore të Murit të Markut (që me siguri këtë e ka kontrolluar Marku) nëpër disa terrasa evidente janë rramjet-shtrirjet e shumë objekteve si atyre të shtëpive dhe punëtorive të vorbëtarisë nga koha e antikitetit të vonshëm iliro-romak.

Burimet dhe literatura
/FJALOR I SHQIPES SË SOTME-AKADEMIA E SHKENCAVE E RPS TË SHQIPËRISË, INSTITUTI I GJUHËSISË DHE LETËRSISË, faqe 631/
/Po aty, faqe 631/
/Başbakanlik Devlet Arşivleri, Osmanli Arşivi, Instabul. Tapu defteri; Nº 4, -73/