Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha të enjten se votimi i nesërm i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është historik për Kosovën, ndërsa pas përfundimit të kësaj pune, udhëheqësit duhet të përqendrohen në procesin e bisedimeve me Serbinë.
Në një postim në rrjetin social, Twitter, ai shkroi se “Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zhvillimin profesional dhe ndryshimin organizativ të Forcës së Sigurisë, e cila duhet të luajë rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke pasqyruar karakterin shumetnik të vendit dhe përkushtimin e qytetarëve të Kosovës për paqe. Seanca e nesërme e parlamenti dhe ceremonia për Forcën e Sigurisë duhet të jenë rast për reflektim dhe ri përkushtim ndaj paqes, qëndrueshmërisë e përparimit për Kosovën dhe fqinjët e saj. Tash është koha për të gjithë udhëheqësit dhe palët që të përqendrojnë energjitë e tyre në bisedime”, shkroi ai.
Më vonë gjatë ditës ai takoi edhe komandantin e Forcës së Sigurisë, Rrahman Rama, siç tha, “për të nënvizuar përkushtimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në forcë mbrojtëse në shërbim të të gjitha komuniteteve…”. Parlamenti i Kosovës pritet që të mblidhet për të miratuar këto ndryshime të premten më 14 dhjetor.