Ballina Bota Hëngrën oriz në tempull, 11 veta humbin jetën

Hëngrën oriz në tempull, 11 veta humbin jetën

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë helmuar pasi hëngrën oriz në një tempull në Indi. Rreth 70 persona janë shtruar në spital, 11 prej të cilëve në gjendje kritike, raporton BBC.

Dy persona janë arrestuar lidhur me këtë ngjarje. Një zyrtar i spitalit tha për mediat lokale se ushqimi mund të ketë qenë i helmuar. Incidenti ndodhi në tempullin Maramma në Chamarajanagar në shtetin jugor të Karnataka gjatë një ceremonie.

“Na u ofrua oriz me domate. Të gjithë ata që nuk e hëngrën janë mirë. Ata që e konsumuan patën të vjella dhe dhimbje barku”, tha për gazetarët një nga personat që kishte qenë i pranishëm në ceremoni.

Qytetarët janë tronditur nga kjo ngjarje, mes të cilëve edhe ish-Kryeministri indian Deve Gowda, i cili shkroi në rrjetet sociale: “Familjet që kanë humbur të afërmit në këtë katastrofë duhet të gjejnë forcën dhe guximin për të përballuar dhimbjen”. /tvklan.al