Revista gjermane ”Der Spiegel” zbuloi sot se një prej gazetarëve të saj, i vlerësuar disa herë me çmime, falsifikonte prej disa vitesh artikujt e tij.
Claas Relotius, 35 vjeç, i cili u vlerësua për më tepër në fillim të dhjetorit me çmimin ”Reporteri i Vitit” për një artikulli për të rinjtë sirianë, iniciatorë të luftës civile që shpërtheu në 2011.
Të dielën ai dha dorëheqjen nga e përditshmja.
Përballë akuzave të një gazetari tjetër me të cilin ai kishte punuar për një temë në kufirin e Meksikës me SHBA, ai pranoi përfundimisht se kishte sajuar citime dhe skena ku ai nuk kishte qenë kurrë i pranishëm, përcjell atsh.
Në total, të paktën 14 artikuj ishin sajuar, përfshirë një për një shtetas nga Jemeni i cili kaloi 14 vite pa arsye në Guantanamo dhe një tjetër për Colin Kaerpernick, lojtarin e futbollit amerikan i cili u ul në gjunjë gjatë himnit amerikan për të protestuar kundër pabarazive racore, Relotius pretendonte se kishte intervistuar prindërit e tij.
Në artikullin e saj të gjatë për këtë çështje, redaksia e ”Spiegel” shprehet e tronditur pas këtyre falsifikimeve në shkallë të gjerë, megjithëse ajo ka si strukturë të saj një shërbim të auditimit të brendshëm për materialet që shkruajnë reporterët.