Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis do të largohet nga posti i tij. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Numri një i Amerikës ka thënë se Mattis do të pensionohet në shkurt të 2019’s. Mattis, 68-vjeçar, është një prej figurave më të respektuara në administratën Trump. “Mattis ka qenë një ndihmë e madhe për mua në bindjen e aleatëve dhe të vendeve të tjera për të paguar pjesën e tyre të obligimeve ushtarake”, shkroi Trump në Twitter
Mattis raportohet të jetë bërë gjithnjë e më kundërshtues ndaj udhëheqjes së presidentit. Në veçanti, ai raportohet të mos jetë informuar për vendimin e marrë nga Trump të mërkurën, për tërheqjen e trupave nga Siria.
“Ju keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më në përputhje me tuajat”, i ka thënë Mattis, Trumpit, në letrën e dorëheqjes. Largimi i Mattisit, që ka gjasë të shqetësojë shumë kritikë të presidentit, është ikja e radhës e një zyrtari të lartë të administratës, ndërsa Trump është vetëm në gjysmë të mandatit të parë.