Ballina Bota Tërmet me magnitudë 4,8 në Katania, çahet toka në Pennisi të Italisë...

Tërmet me magnitudë 4,8 në Katania, çahet toka në Pennisi të Italisë (VIDEO+FOTO)

Pak ditë pas aktivizimit të vullkanit Etna, ishulli i Siçilisë është shkundur nga një tërmet i fuqishëm. Lëkundja është ndjerë kryesisht në Katania dhe rrethina, ku ka lënë të plagosur mbi 20 persona dhe shkaktuar një sërë dëmesh në infrastrukturë.

Një tërmet 4.8 ballë i shkallës Rihter tronditi të mërkurën Siçilinë, duke plagosur të paktën 28 persona dhe duke i përcjellë stimuj vullkanit të malit Etna. Sipas mediave italiane, 10 persona u dërguan në spital si pasojë e plagëve, të shkaktuara nga shembjet e disa ndërtesave.

Bëhet fjalë për lëkundjen sizmike më të fuqishme që verifikohet në ishull, që kur vullkani u aktivizua ditën e hënë. Më herët, hiri vullkanik mbuloi qiejtë e fshatrave pranë qytetit të Katanias, ku aeroporti ndërkombëtar u detyrua të pezullonte përkohësisht fluturimet.

Tërmeti i rënë mëngjesin e së mërkurës ishte me epiqendër të komunën Viagrande. Në fshatin Fleri, ekipet e shpëtimit i erdhën në ndihmë një 80-vjeçari që kishte mbetur i bllokuar në rrënojat e shtëpisë së tij. Një kishë e fshatit mbeti gjithashtu e dëmtuar nga lëkundja e tokës.

Në Katania, qytet me 300 mijë banorë, njerëzit dolën të trembur nga banesat që vijonin të lëkundeshin, ndërsa banorët e shtëpive në këmbët e malit Etna u larguan menjëherë nga shtëpitë e tyre pas urdhërit të autoriteteve.

Zëvendëskryeministri i Italisë, Luixhi di Maio reagoi duke bërë me dije se të enjten do të udhëtojë drejt Katanias për t’u takuar me qytetarët dhe autoritetet lokale. Ndërsa kolegu i tij Mateo Salvini përmes një postimi në Twitter falenderoi rreth 100 zjarrfikës që u angazhuan për t’u ardhur në ndihmë banorëve në vështirësi./abcnews.al