Ballina Shëndeti Këshilla Zbardhimi i dhëmbëve me qymyr druri të aktivizuar: Pse funksionon dhe si...

Zbardhimi i dhëmbëve me qymyr druri të aktivizuar: Pse funksionon dhe si ta bëni atë!

Së fundmi ekziston një trend në rrjetet sociale dhe më gjërë se si njerëzit bëjnë zbardhimin e dhëmbëve me qymyr druri në formë aktive (activated charocoal). Njerëzit e përdorin në fytyrë, lajnë flokët me të, lajnë dhëmbët etj. Nëse e keni pyetur veten se si e gjithë kjo funksionon në të vërtetë, çka përmban i gjithi ky proces jeni në vendin e duhur ku do ti shpjegojmë të gjitha këto.

Nga Arif Arifi

Çka është qymyri i drurit në formë aktive?

Qymyri i drurit në formë aktive është shumë i ngjashëm me qymyrin të cilin e përdorim gjatë ndezjes së zjarrit, mirëpo përdoret posaçërisht për tretmanë medicinale. Formohet me nxehjen e qymyrit duke përdorur gaz i cili krijon pore të mëdha në mineral me çka kemikalet ngecin në të. Qymyri i drurit në formë aktive më së shpeshti në medicinë përdoret në trajtimin e gazrave intestinale , kolestazës gjatë shtatzënisë dhe për ti zvogëluar nivelet e kolesterolit në gjak. Nuk ka erë, shije dhe mund të blihet në dyqanet për ushqim të shëndetshëm dhe në farmaci në formë të kapsulave.

Qymyri i drurit në formë aktive prodhohet prej lëvoreve të kokosit, thëngjillit, tallashit ose materialeve të tjera të cilët përpunohen në nxehtësi të madhe me çka fitohet ajo formë e aktivizuar. Kjo e ndryshon strukturën e brendshme kështu e bën më poroze se qymyri i zakonshëm. Është i përpunuar në atë mënyrë që largohen të gjitha substancat shtuese që janë të dëmshme dhe ka përbërje kimike e cila e bën substancë të dobishme në situata të ndryshme.

Rezyme e shkurtë kimike për qymyrin e drurit të aktivizuar

Qymyri i drurit në formë aktive ka ngarkesë elektrike negative që d.m.th i tërheq molekulat e ngarkuara pozitivisht. Toksinet dhe gazrat kanë ngarkesë pozitive që sjell deri tek tërheqja e tyre nga qymyri i drurit. Sigurisht keni dëgjuar për radikalet e lira dhe dëmet që ato sjellin në trupin e njeriut. Po , qymyri i drurit i aktivizuar i kap edhe ato.

Për shkak të teksturës poroze shtohet efikasiteti në kapjen e substancave të padëshiruara. Një lugë e mesme me qymyr druri në formë aktive ka sipërfaqe prej afërsisht 1000m2. Pjesa më e mirë është se qymyri i drurit në formë aktive nuk absorbohet nga trupi i njeriut, duke e lejuar që të bartë toksinet jashtë trupit nëpërmjet ekskrecioneve.

Përdorimi medicinal i qymyrit të drurit në formë aktive

Një ndër mënyrat më të dobishme të këtij materiali në medicinën moderne është parandalimi i overdozimit. Për shkak se qymyri i drurit në formë aktive ka veti të tërheq toksinet shpesh përdoret në raste urgjente të trajtimit ndaj helmimeve. Studimet tregojnë se qymyri i drurit në formë aktive zvogëlon absorbimin e ilaçeve për 74%. Megjithatë si çdo gjë edhe kjo ka limitet e veta dhe përdoret vetëm ne raste të caktuara. Është i aftë të lidh acidet e kolesterolit me çka limiton nivelet që trupi i absorbon ata.

Qymyri i drurit në formë aktive gjen përdorshmëri nga medicina deri te tretmanët kozmetike. Është tepër e njohur në tretmanët kozmetike të lëkurës ku detoksifikon poret dhe trajton aknet.

A është qymyri i drurit në formë aktive i mirë për dhëmbët?

Zbardhimi i dhëmbëve në dekadën e kaluar u bë një industri globale. Nga zbardhimet profesionale në ordinancat stomatologjike e deri tek mënyrat alternative tradicionale në shtëpi.

A mundet që qymyri i drurit në formë aktive të zbardhoj dhëmbët? Nuk ekziston dëshmi formale që po. Megjithatë FDA (Food and Drug Administration) ka aprovuar qymyrin e drurit në formë aktive për shumë përdorime shëndetësore. Shoqata Amerikane e Stomatologëve (ADA) ende nuk ka aprovuar asgjë në lidhje me qymyrin e drurit në formë aktive si produkt në stomatologji për shkak se është ende si trend i ri. Megjithatë, nga observimet e sugjeruara deri më tani është vërejtur se gjatë përdorimit të qymyrit të drurit në formë aktive për dhëmbët është i dukshëm efekti pozitiv në absorbimin e pllakut dentar dhe përbërjeve tjera që njollosin dhëmbët.
D.m.th vetitë kimike të qymyrit të drurit në formë aktive shërbejnë si zbardhues natyral i dhëmbëve duke mos neutralizuar toksinet por duke i ngjitur ata për vete që rezulton me dukje me të pastër dhe të bardhë të dhëmbëve.

Poret e qymyrit të drurit në formë aktive lidhen me pjesët e vrazhda të dhëmbëve, zakonisht me njollat në sipërfaqe të dhëmbëve dhe me pllakun dentar që e bën më të lehtë largimin e tyre. Pasi lehet për një kohë të qëndroje në dhëmbë, ajo gjatë heqjes largon me vete edhe pllakun dentar, copëzat e ushqimeve të ngecura dhe njollat sipërfaqësore të dhëmbëve. Mirëpo normalisht që nuk ka aftësi të ndryshojë ngjyrën e dhëmbëve në mënyrë drastike, por sigurisht tek personat që janë konsumues të rregullt të duhanit, kafes dhe produkteve tjera që njollosin dhëmbët jep një diferencë të dukshme që nga hera e parë e pastrimit me të.

Si ta bëni atë?

Fillimisht hapni me kujdes ambalazhin për shkak se pluhuri është i imët dhe ka gjasa të bëj llom gjithandej. Përdorni një furçë të posaçme që nuk do ta përdorni gjatë pastrimit me pastë të zakonshme për shkak se kjo do të marrë ngjyrë të zezë. Laget furça dhe fijet e furçës i fusim në qymyrin e drurit me formë aktive dhe pastrojmë dhëmbët njëlloj si me pastë për 2-3minuta. Në fillim deri sa të shpërndahet pluhuri mirë gjithandej nëpër dhëmbë ka konsistencë të çuditshme por pasi pështyma të hyjë në funksion gjithçka është e lehtë.

Në fund shpërlajmë gojën me ujë mirë dhe vazhdojmë me pastrimin e dhëmbëve me pastë të zakonshme që të largohen copëzat e zeza që ngecin diku nëpër dhëmbë. Menjëherë edhe pas pastrimit të parë do të vërehet dallim në dukje të dhëmbëve dhe do të ndjeni se dhëmbët tuaj janë më të pastër. Preferohet që pastrimi me qymyr druri në formë aktive të bëhet 1 – 2 javë për çdo natë, ndërsa pastaj sipas nevojës.

A është qymyri i drurit në formë aktive tepër abraziv?

Për shkak se dhëmbët nuk rigjenerohen, përdorimi i ndonjë substance që konsumon smaltin e dhëmbëve mund të jetë i dëmshëm. Efekti i zbardhjes së dhëmbëve qëndron në porozitetin e vetë materialit, ndërsa shqetësimi tek niveli i abrazionit.

RDA (relative dentin abrasivity) është si njësi matëse për të matur abrazionin e produkteve dentare të pranuara nga FDA, e cila sugjeron një shkallë prej 200 apo më poshtë. Qymyri i drurit në formë aktive ka një shkalle RDA prej 70-90 ndërsa shumica e pastave për zbardhim të dhëmbëve kanë shkalle RDA prej 100-200. Përdorimi i qymyrit të drurit në formë aktive Gjithmonë konsultoni profesionistët dentarë para se të filloni çfarëdolloj tretmani për zbardhimin e dhëmbëve. Abrazioni i dhëmbëve ndodh kur niveli i smaltit dhe i dentinës konsumohen gjatë proceseve anormale. Kur mirëmbani higjienën orale në shtëpi gjithmonë anashkaloni të përdorni tepër presion gjatë fërkimit me furçe dhëmbësh, anashkaloni përdorimin e furcave më fije të forta dhe substanca të panjohura.

Kur dentina e butë është e ekspozuar atëherë procesi i abrazionit vazhdon me një shpejtësi më të madhe dhe shëndeti oral është i komprometuar. Mbrojtja e smaltit ndihmon në mirëmbajtjen e një buzëqeshjeje të shëndetshme dhe zvogëlon shanset për ndonjë problem të kësaj natyre. Kur bëhet fjalë për qymyrin e drurit në formë aktive si produkt për zbardhjen apo pastrimin e dhëmbëve, këshillohet të keni kujdes. Përdorimi i tepërt mund të sjellë në erozion . Summa summarum Këshillohet përdorimi racional i qymyrit të drurit në formë aktive për zbardhjen e dhëmbëve; ndihmon në absorbimin e dekolorimeve dhe pastrimit më të mirë të dhëmbëve, detoksifikon kavitetin oral në përgjithësi, largon erën e keqe nga goja, parandalon shumimin e baktereve. Është vërejtur se ndihmon në zbardhimin e dhëmbëve por gjithmonë duhet pasur kujdes me përdorimin e tepërt të saj. Ja vlen të provohet gjithsesi!