Ballina Aktualitet Lajme Diplomaticus/ Sinani: Shqiptarët s’do lejojmë të quhemi maqedonas

Diplomaticus/ Sinani: Shqiptarët s’do lejojmë të quhemi maqedonas

Analisti i zhvillimeve politike në Maqedoni, Arsim Sinani, në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24 shprehet se shqiptarët nuk do të pranojnë që në dokumente dhe pasaporta të quhen me kombësi maqedonase. Sinani shprehet se sipas marrëveshjes së Prespës, në pasaporta nacionaliteti i të gjithëve do të quhet maqedonas, por shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë gjë.

“Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Artan Grubi, Teuta Arifi, të gjithë këta do të quhen maqedonas, por shqiptarët nuk do të pranojnë këtë lojë sepse ne nuk jemi të kapur. Ia kemi bërë të qartë edhe ambasadorit amerikan Jess Bailey në Shkup se ne jemi shqiptarë dhe nuk pranojmë që në pasaportat tona identiteti jonë të shkruhet maqedonas. Nuk është vonë për ta kundërshtuar. Mendoj se Zaevi e ka kuptuar këtë dhe ka bërë një lëvizje taktike. Askush nuk mund të na e fshijë identitetin tonë. Ne kemi identitet të qartë shqiptar. Shqiptarët nuk do ta pranojnë këtë diskriminim”, deklaron Arsim Sinani për News 24.