Manchester City nuk u kursye ndaj skuadrës modeste Rotherham në raundin e tretë të FA Cup. Citizens, edhe pse kishin pushim disa nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës, shënuan plot 7 herë në portën kundërshtare, duke treguar “dhëmbët” që në fillim.
Sterling, një ndër më të mirët në fushë në fitoren e madhe ndaj Liverpoolit, realizoi golin e parë të sfidës që në minutën e 12-të, i shërbyer nga De Bruyne, që e shfrytëzoi këtë takim për të marrë minuta në këmbë.
Në pjesën e parë realizoi edhe Foden, ndërsa Ajayi, para se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes shënoi në portën e tij.
Në pjesën e dytë “vallen” e golave e tërhoqën Gabriel Jesus, Mahrez, Otamendi dhe Sane për rezultatin përfundimtar 7-0.