Nga Sonila Meço
Si mundet të përkufizohen, përgjithësohen, acarohen, shpërdorohen marëdhëniet e shqiptarëve këndej kufirit me ata të Kosovës nga mosdekretimi i argumentuar ligjërisht i ministrit me origjinë nga Kosova e me dy pasaporta prej presidentit të Republikës?
Kush po do ta fryjë këtë lloj zjarri të rrezikshëm mes një kombi në dy shtete, duke na detyruar t’i kërkojmë falje Kosovës për “turpin” e madh?
Në një kohë kur Serbia kryeneçe pret shkëmbim territori, arrin të lobojë deri në Bruksel e Washington, pa e njohur Kosovën, pa kërkuar ndjesë për krimet e luftës, çel kapituj negociatash ndërsa zyrtarët tanë të lartë s’dimë kur kanë shkelur për herë të fundit në Bruksel e në Kosovë shqiptarët janë izoluar prej mosliberalizimit të vizave.
Dhe pse u dashka të cilësojmë këtë “turp” e jo mungesën e çertifikatës së sigurisë nga ana e ministrit të propozuar, që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar shtetëror?
Po fakti që verifikimi i tij me paisje çertifikate është bërë brenda një dite në shkelje të ligjit? Si mundet t’ja lëmë përshtypjeve individuale dhe librave të lexuar vlerësimin nëse një djalë duhet të ketë në dorë Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme?
Si mund të quhet “turp” mosdekretimi i tij nga presidenti, në kushtet e citimit të shkeljeve ligjore e mungesës së sigurisë kombëtare dhe t’i kërkojmë falje Kosovës për këtë gjë?
Po a i kërkuam falje për çmimin e referencës së patateve, për tarifat e Rrugës së Kombit që kanë shtrenjtuar ardhjen e vajtjen, për qëndrimin jo në favor të saj në raport me synimet e Serbisë për rishikim territoresh?
Dhe mbi të gjitha kush do të kërkojë falje për institucionet, që nuk i pyet askush, as vetë kandidati për ministër, që i lejon vetes pa nisur, të shkelë ligjin?
Ndonjë “turp” për shkelmin ndaj shtetit, kushtetutës e ligjit, që konsiderohen si pengesë për pushtetin a do klithet?