Ballina Bota Analiza ANALIZA: Si Rusia e Putinit e shndërroi humorin në një armë politike

ANALIZA: Si Rusia e Putinit e shndërroi humorin në një armë politike

Nga Olga Robinson

Në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, rusët e përdornin humorin për t’i shpëtuar realitetit të zymtë të stanjacionit ekonomik, mungesave ushqimore dhe radhëve të gjata nëpër dyqane. Satira politike lulëzoi në televizione, në formën e shfaqjeve me kukullave gjatë viteve 1990, por ajo u zbeh shpejt kur në pushtet u ngjit Vladimir Putin.

Në Rusinë e sotme, ku media kontrollohet kryesisht nga Kremlini dhe aleatët e tij, ka pak vend për një humor politik të vërtetë, përveçse nëse përdoret për të shmangur fajin nga qeveria.

Humori dhe tallja, ishin një pjesë e rëndësishme e reagimit të Moskës kur Britania e Madhe tha se kishte “shumë të ngjarë” që Rusia të ishte përfshirë në helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Salisbëri.

Zyrtarët dhe figurat e medias në Rusi, kanë tentuar ta kthejnë frazën angleze “highly likely” në një frazë tallëse, që nënkupton se Rusia fajësohet për gjithçka, edhe kur ka pak ose aspak prova për këtë.

Ata kanë listuar një sërë figurash popullore të letërsisë angleze, të tilla si Herkul Poiro i Agata Kristi dhe Sherlok Holms i Konan Dojlit, për të vënë në lojë akuzat britanike për përfshirjen e Moskës në një helmim, akuzë që ata e denoncojnë si të pabazë.

Roman Dobrokotov, uebsajti investigativ i të cilit ka zbuluar një nga dy autorët e dyshuarit të helmimit, Anatoli Çepiga, ka thënë se një tallje e tillë është një formë mashtrimi, e projektuar për të “ulur qëllimisht nivelin e debatit”.

“Ata nuk mund të reagojnë në një mënyrë serioze, dhe në atë pikë ata fillojnë të sillen sikur aktrojnë”- thekson ai. “Kjo është një përpjekje për të tallur, për të reduktuar gjithçka në asgjë”- tha zoti Dobrokotov për BBC. Së bashku me teoritë e konspiracionit dhe rrëfimet mashtruese, argumenton ai, kjo lloj taktike synon të mbjellë dyshime.

Rezultati është se shumë njerëz do të shohin televizion, dhe do të mendojnë se nuk ka asnjë mënyrë për të kuptuar vërtet atë që ka ndodhur. Me fjalë të tjera, thotë ai:”Askush nuk është shenjtor, e vërteta nuk ekziston!”. Audiencat e internetit, janë gjithashtu një objektiv kyç për këtë teknikë.

Një hashtag në mediat sociale – #IamFromGRUToo (# ЯтожеИзГРУ në rusisht) – duket të jetë i frymëzuar nga lëvizja #MeToo. Përdoruesit pro-Kremlinit në Twitter, talleshin me akuzat e Britanisë së Madhe kundër agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU.

Në një njoftim të trilluar për punë, bëhej shaka se GRU ishte “në kërkim të punonjësve për departamentin e sulmit kibernetik, departamentin e armëve kimike dhe njësinë e ndërhyrjes së zgjedhjeve. “S’ka nevojë të aplikoni – ne do t’iu gjemë vetë”- thuhej më tej në postim.

Ben Nimo, një studiues në “Atlantic Council”, mbi dezinformimin rus, i tha BBC-së se përpjekjet për të krijuar ‘meme’ qesharake, ishin pjesë e strategjisë së “dezinformimit në

epokën e informacionit”.

Lëvizja e Rusisë drejt përdorimit të humorit, për të ndikuar në fushatat e saj, është një fenomen relativisht i kohëve të fundit. Kur Vladimir Putin erdhi në pushtet në vitin 2000, një nga viktimat e para ishte shfaqja televizive satirike televizive Kukly (Puppets), e cila tallej vazhdimisht me presidentin e ri.

Televizioni, është burimi kryesor i informacionit për shumicën e rusëve, dhe humori është zëvendësuar gradualisht me shakatë apolitike të sajuara me kujdes, për të shmangur kritikat ndaj zotit Putin apo rrethit të tij të brendshëm. Shumica e programeve komike në televizionin shtetëror rus këto ditë, nuk prekin tema politike ose të bëjnë drejtpërdrejti humor me armiqtë e perceptuar të Kremlinit jashtë vendit.

Edhe nëse përmendet presidenti, kjo ndodh për çështje të dorës së dytë, ndërsa udhëheqësit dhe institucionet perëndimore vihen direkt në lojë. Shihni shfaqjen më të madhe televizive në Rusi, KVN. Vitin e kaluar, një skeç mbi samitin e G20, e përshkroi Putinin si një lider atletik, të aftë në xhudo, dhe që vraponte rreth homologëve të tij perëndimorë, të cilët dukeshin të ngathët dhe budallenj.

“Ata kanë sjellë humorin Brenda politikës”- thotë autori Peter Pomerancev, i cili e ka përjetuar vetë botën e producentit rus të televizioneve. Ndërsa humori ishte dikur një kërcënim për paraardhësit e tyre sovjetikë, Kremlini tani e ka kthyer atë në avantazhin e vet. Ky nuk është një regjim super-serioz, ai i bën gjërat me një lloj ngërdheshje, dhe ndonjëherë thjesht me një buzëqeshje. Është një sistem që lejon një humor të caktuar”- përfundoi ai.

“BBC” – Bota.al