Shkruan Syrija Rashiti
Ishte e pritshme që të ndodhë kjo luftë speciale dhe propagandistike ndaj Aleancës. Propaganda ndaj nesh bëhet jo për atë që kemi fituar, por për atë që nuk kemi fituar. Kushdo që ka përvojë minimale parlamentare duhet ta dijë se amandamentet nuk parashtrohen që me çdo kusht të pranohen dhe të votohen, por për të dëshmuar se ka problem që
kërkon zgjidhje.
As që kemi pas dilema se amandamentet tona nuk do të pranohen ashtu siç i kemi propozuar. Por të njëjtat kanë imponuar biseda dhe marrëveshje. Dhe çka ishte marrëveshja? Barazi e plotë etnike në
preambulë. Diçka që as lufta dhe as marrëveshja kornizë që ndaloi atë luftë nuk arriti ta bëjë. Dhe krejt kjo me dy vota në parlament.
Dëshmi që me politikë të matur dhe racionale mund të bëhen gjëra të
mira. Dhe dilema kryesore pse u tërhoqën amandamentet tjera? Në situatë kur ke marrëveshje për t’u pranuar diçka shumë esenciale nga kërkesat e tua do të thotë nuk ke marrëveshje për tjerat.
Domethënë, amandamentet e tjera nuk do kalonin. Nuk kemi nevojë për folklor politik kur bëhet fjalë për çështje si gjuha. Për ne ishte me rëndësi që gjatë gjithë debatit (rreth tre muaj) i ngritëm si çështje
dhe krijuam një opinion se këto probleme herë do kurdo kërkojnë zgjidhje. A nuk është e arritur edhe ajo që të detyrosh kryeministrin nga foltorja e parlamentit të dal dhe të pranoj publikisht se çështja
e gjuhës shqipe në kushtetutë mbetet çështje e hapur që kërkon zgjidhje. Në kundërshtim me deklarimin e Ali Ahmetit në TV 21 se me formulimin 20% është zyrtarizuar gjuha shqipe dhe se ska nevojë për të parashtruar kërkesa tjera për këtë çështje.
Kur ne kemi diskutuar për nevojën që me ndryshimet kushtetuese të zgjidhen çështjet e hapura politike dhe etnike, u akuzuam se e komplikojmë procesin, nuk mund të ndryshohet as edhe një presje nga
Marrëveshja e Prespës dhe se krejt kjo është për shkak të “mungesës të kapacitetit kreativ”. Dhe atë nga kush? Nga ata që po të kishin minimumin e kapacitetit kreativ, ne me këto ndryshime do të kishim bërë shumë më tepër.
Në të gjithë këtë propagandë të pakuptimtë pas ndryshimeve kushtetuese ka një sihariq. Sihariqi i mirë është se BDI e dinë se sa të pistë dhe të fëlliqur janë dhe e keqja është se në vend se të pastrojnë veten, kanë marrë mision që ti bëjnë edhe të tjerët si veten: oportunist, shpifës, të shitur, njëlloj të pistë si veten.