Agjencia e madhe e lajmeve, BBC, ka hedhur një lajm të bujshëm dhe historik, sipas të cilit konfirmohet se kinezët kanë arritur që të mbjellin bimë në Hënë.
Vetëm pak kohë më parë u dha lajmi se kinezët kishin arritur që të ulin një sondë në anën e largët të Hënës, i cili bëri bujë, sepse vërtetoi që Kina tashmë është shndërruar në një superfuqi në garën e eksplorimit të hapësirës.
BBC shkruan se farat e mbjella në Hënë, kanë nisur të lulëzojnë. Kjo është hera e parë që një materie biologjike është rritur në Hënë dhe shihet si një hap i rëndësishëm drejt eksplorimit afatgjatë të hapësirës. Misioni kinez Chang’e 4 u ul në Hënë më 3 janar me instrumentet e nevojshme që të shqyrtojë gjeologjinë e Hënës.
Më përpara janë rritur bimë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, por kurrë në Hënë.
Sipas BBC, kjo ka rëndësi pasi aftësia për rritjen e bimëve në Hënë do ndihmojë edhe kur të nisë udhëtimi drejt Marsit pas dy vitesh e gjusmë. Astronautët do jenë në gjendje që të rrisin dhe shfrytëzojnë ushqimin e tyre në hapësirë, pa pasur nevojë që të kthehen në Tokë për rifurnizim.
Në sondën kineze ka pasur fara pambuku, patateje, maja dhe vezë pilivesash. Bimët janë të mbyllura në një kontejner. Ato do të synojnë krijimin e një mini-biosfere.
Ditën e sotme edhe mediat kineze që ju referohen burimeve zyrtare thanë, se tashmë farat e pambukut janë rritur dhe kanë çelur.