Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, duke u marrë me grevën në arsim, ndër të tjera konstaton se ndërsa “Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta”
Në vazhdim teksti i plotë i Kurtit:
Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbyesit politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo do të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre. Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim.