Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Wes Mitchell ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij në Departamentin e Shtetit.
Ai pritet të largohet përfundimisht nga detyra muajin e ardhshëm, sipas letrës së dorëheqjes që diplomati i nivelit të lartë i ka dërguar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo më 4 janar.
“Meqë administrata e ka përfunduar vitin e dytë në detyrë, mendoj se e kam përfunduar atë që kam vendosur të arrijë në marrjen e kësaj pozite. Besoj se ka ardhur koha që të kaloj më shumë kohë me familjen time të re, të cilët kanë kaluar shumë ditë pa mua gjatë muajve të fundit”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Mitchell.
Diplomati më i lartë për çështjet evropiane shtoi se nuk po largohej nga departamenti për shkak të vendimeve të politikës së jashtme, duke lavdëruar udhëheqjen e Mike Pompeo.
Dorëheqja e tij vjen në një kohë mosmarrëveshjesh mes Uashingtonit dhe liderëve të BE-së lidhur me tregtinë, shpenzimet e mbrojtjes dhe tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e Iranit.
Mitchell mori detyrën në tetor 2017, teksa për 12 vjet kishte punuar në një Institut të fokusuar në çështjet e Evropës Qendrore. Ai u emërua në detyrë nga ish-sekretari e Shtetit, Rex Tillerson.