Nga Ben Andoni
Historia e Mesjetës shqiptare ka pasur ndriçimin e disa prej penave më të njohura historike evropiane, përveç kontributit vendas, që ka hedhur dritë mbi të. Në kohët tona, përveç prof. Pëllumb Xhufit, të ndjerit Prof. Kristo Frashërit dhe Prof. Oliver Jens Schmitt, e një sërë autorësh të tjerë, i shtohen studiuesit e njohur të fillim shekullit të shkuar me Milan Sufflayn dhe të tjerë para tij, që elaboruan tema por edhe ndriçuan dokumente mbi të cilat u hodh dritë.
Pavarësisht kësaj, një “Histori të Skënderbeut” të plotë, të paktën si e pretenduam, e patën të plotësuar vetëm pas viteve ’90 nga profesorët Frashëri dhe Schmitt, pas punëve jo të plota që ishin bërë nga një sërë dinjitarësh tanë dhe të huaj në të shkuarën.
Në një areal të njëjtë, por gjithsesi në shekujt e mesëm dhe të fundit të Mesjetës kemi shikime shumë komplekse me metodologji interesante të prof. Xhufit dhe një sërë kolegësh të tij, që Schmitt i shtyu edhe disi më parë në shekujt para pushtimit osman.
Kjo hyrje në fakt nuk është shteruese por thjesht disi përshkruese e asaj ose burimeve nga ku mbështetej dhe ndërtohet narracioni dhe kultura jonë e përgjithshme për osmanët dhe pushtimin e tyre, por edhe ndikimin e jashtëzakonshëm për fatet e vendit tonë, si edhe shikimin e Skënderbeut etj.
Shumë vite më vonë, në dy dekadat e fundit, publiku i gjerë, mu ai që ka pak akses ndaj burimeve historike dhe studimeve, po e plotëson kulturën historike me ekspansionin e paparë të filmave turq. Dhe, ndodh që personazhe që deri më tani i kemi marrë përmes kësaj historie të hartuar me metodologji shkencore, të egër, të pamëshirë dhe që e kanë rrënuar hapësirën e vendit tonë, tashmë përmes filmografisë turke që e ka pushtuar tregun shqiptar, na vinë të paqëm, mendjehapur, kurse imazhi i Perandorisë Osmane i qashtër. Të mendosh si një hapësirë e bukur, ku shqiptarët ishte një bahçe thjesht pak e harruar e saj.
Të gjithë këto seriale, modifikuar për interes të ligjërimit të lidershipit të ri turk, që përmes tyre po përcjell ekspansionin e vet kulturoro-historik dhe dilemën për atë peshë jo të pakët që kanë mbajtur shpatullat e njerëzve tanë, zonave tona të origjinës, të ngjallin vërtetë pak trishtim. Paçka se nivelin e tyre shpesh spekulativ e mbysin efektet dhe kostumet, që për hir të së vërtetës janë të mrekullueshme, bashkë me skenat, fotografinë, aktorët shumë të paraqitshëm dhe elementë që bashkohen dhe i japin jetë idesë. Një sërë personazhesh të egër dhe të paskrupullt të historisë po na vinë nga këto filma mbushur me cilësi të bukura që përcjellin dashuri dhe paqe, por edhe urrejtje për të huajt e këqij, që zakonisht u përvishet pabesisë së katolikëve dhe perëndimorëve.
Përveç shtëpiakeve që mbushin jetën me to, njerëzve në lokalitete që i kanë të vetmet argëtime, por edhe hapjes së madhe në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë, ato po përcjellin indirekt ndjesinë e urrejtjes, vrasjes dhe xhelozirave të pafundme.
Kjo është jeta, mund të përgjigjet një regjisor dhe një ithtar i tyre e derisa i duan njerëzit, pse të hyn në punë?! Në fakt, tema jonë është ndryshe.
A munden personazhet turq historikë të vinë të tillë te ne kaq lirshëm dhe pa një lloj filtri të nevojshëm moral. Assesi censurë. Paçka se Mehmet Pushtuesi po na vjen si model i përkorë, që mbron Ortodoksinë, ndërsa po i bën varrin Bizantit, që është degjeneruar! Shpata e Drejtësisë është vetëm mbi të, ashtu si i atribuon vetes sot drejtësinë presidenti aktual turk Erdogan.
Dhe, kjo nuk mbaron këtu. Për filmat e kohëve tona, të habit sesi personazhet e shumta të telenovelave turke që mbrojnë shoqërinë nga e keqja përballen në çdo hap me vrasjen dhe të keqen. Një aludim i pastër për fuqinë e Turqisë dhe misionin e saj, që e ka nisur me Neo-Otomanizmin.
Të mendosh, shoqëria jonë, me të cilët eksperimentohet deri në absurd, e hapur për çdo ndrydhje identiteti, me këto filma duket se është duke ridimensionuar mënyrën sesi e shikon vetë jetën. Më saktë një segment jo i pakët i popullatës, që argëtim të vetëm, kanë pikërisht filmat turq dhe propagandën e frikshme të kryeministrit tonë dhe baltosjen e përhershme të opozitës.
Dhe, të kthehemi sërish te Mehmet Pushtuesi, filmi i ri që po ngërthen shqiptarët para TV: Të merr lemeria kur kujton se në histori ai ka shkatërruar pa fund hapësirat tona dhe tashti përshfaqet një hero për vetë ne.
Si për ironi të së gjithës, vjen i interpretuar nga një prej aktorëve më simpatikë të Turqisë, në mos gaboj nga një spekulim me origjinë shqiptare, bashkë me të gjithë hiret mashkullore dhe përveç kësaj sfidues kundër të keqes që e përbën… kryqi.
Ndërkohë Shqipëria ka nevojë për kinematografi cilësore, që turqit sot e kanë interesante dhe sfiduese. Por, gjithsesi edhe këtu kemi një armik, që quhet treg. Kujtesa e njerëzve të sotëm nuk shkon më larg se shtëpitë e tyre dhe mbase kjo është arsyeja që ekspansioni nuk ndalet dot, nëse nuk gjen dot një alternativë artistike. Shqipëria e ka të pamundur ta mbushë këtë boshllëk me fuqinë e saj ekonomike dhe atë që ofron për kulturën.
Filmat turq, në një llogari që është bërë vjet prej “Sabah”, ka të ardhura që shkojnë në rreth 350 milionë dollarë, ndërkohë që gati një dekadë më parë eksporti televiziv turk numëronte të ardhura në rreth një milion dollarë, në transmetimet që sot gjenden të shtrira në më shumë se 100 vende, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Dhe, me këto shifra, Turqia renditet në prodhuesin dhe shpërndarësin e dytë në botë të serialeve televizive, pas SHBA-së. Kjo nuk mbaron këtu, pasi shumë shpejt shifra mendohet të dyfishohet.
Ballkani sot nuk e ndjen shumë ekspansionin e politikës turke, prej rrugës që ka hapur kultura turke, ku shikuesit janë gjithnjë e më të shumtë prej zgjidhjeve racionale alla Ballkan dhe problematikave gati identike në rajon.
Në fund, ajo që na mbetet të themi është e thjeshtë: Në të gjithë këtë hulli, a mund të ketë një kontroll moral të njerëzve që i marrin këto filma, pasi historia jonë po transformohet në një farë mënyre pa u ndalur drejt perceptimeve të tjera, kurse imazhi i Turqisë historike po na vjen i qashtër dhe i këndshëm dhe duket po e zhbën krejtësisht atë errësirë që na la me vetëdije të plotë. /Milosao