Konsiderohej si një artist 20-vjeçar që kishte fituar disa çmime ndërkombëtare me pikturat e tij. Edlir Reka nga Berati, thotë se ka përfunduar Liceun Artistik në këtë qytet dhe “talentin” e tij e shpalos ku të mundet.
Të premten ai ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur pikërisht për artin e tij. Ai madje prezantoi edhe një pikturë, për të cilën u shpreh se ka fituar çmim në Moskë dhe vepra e tij qëndron në Muzeun e Artit Modern në kryeqytetin rus.
Mirëpo, kjo ka rezultuar një mashtrim. Drejtuesja e emisionit, Rudina Magjistari thotë se piktura në fjalë e Edlir Rekës është një kopje dhe ai duhet të kërkojë falje për mashtrimin që ka bërë. Rudina i kërkon ndjesë publikut shqiptar për një farsë që iu servir si e vërtetë, por që në fakt nuk kishte dijeni për këtë mashtrim.
“Jo Edlir! Kjo këtu në Instagram është hera e parë, që ti pranon se piktura jote është NJË KOPJE, me të cilën pretendon se ke fituar në Moskë dhe krenohesh nëpër programe televizive se ajo qëndron e varur në Muzeun e Artit Modern atje!!! Nëse do ta dija më parë, sigurisht që s’mund të kishe qenë i ftuari im. Prisja të kërkoje ndjesë në këtë postim tëndin e jo të vazhdoje akoma me mashtrime @edlirreka. Ndjesë publikut tim”, thotë gazetarja Rudina Magjistari.
Në fakt, piktura për të cilën Edlir Reka thotë se ka fituar çmim në Moskë, i përket piktorit kanadez Blu Smith. Mashtrimi i 20-vjeçarit u zbulua edhe me ndihmën e publikut të emisionit, të cilët në profilin e Rudina Magjistarit në Instagram nisën të shkruanin se piktura e prezantuar nga Edlira Reka është një kopje dhe autorësia nuk i përket atij. /tvklan.al