Edhe pse Marrëveshja e Prespës nuk kishte në thelb çështjen shqiptare në Maqedoni, ajo ka pasur një rol të rëndësishëm. Në një lidhje me skype për Ora News, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se kjo forcë politike arriti që të mbrojë identitetin shqiptar.
Bilall Kasami: Marrëveshja në vetëvete nuk kishte rregullimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Ajo kishte të bënte me një kontestim që kishte të bënte mes palës greke dhe identitetit maqedonas. Grekët e kontestonin dhe vazhdojnë ta kontestojnë identitetin maqedonas dhe ata nuk pranin që të kishte dhe një Republikë e quajtur Maqedoni, sepse një territor në Greqi e ka një emërtim të tillë.
Me marrëveshjen e Prespës, Maqedonia riemërohet Maqedonia e Veriut, por ajo që është me rëndësi, që ne si Lëvizje Besa, të vetëm në këtë proces arritëm që të mbrojmë identitetin shqiptar. Kishte tendenca që përmes rregullimit të identitetit maqedonas kjo të jetë në dëm të identitetit shqiptar, sepse tentohej që identiteti shtetëror i gjithë qytetarëve të këtij vendi të jetë identitet maqedonas. Tanimë me ndryshimet kushtetuese është futur që në ligjin kushtetues që për shqiptar identiteti nuk do jetë maqedonas, por do jetë identiteti shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut./Ora News/