Nga Lirim Alija
Ishte Nëntori i një kryeqyteti, por meqë bënte shumë ftohtë, më ngjante sikur të ishte një Dimër i madh. Hyra me të shpejt në Pallatin e ëndrrave dhe takova Ismail Kadarenë. Edhe pse nuk kisha Ftesë në studio dhe nuk kishte Ra asnjë Mort, ne prapë u pamë. Ishte duke shkruar Kronikë në gur. Mbi tavolinë pos shumë dokumenteve, kishte edhe Dosjen H. Pastaj disa emra femrash të shkruara me kujdes: Llora, Vajza e Agamemnonit, Princesha Argjiro…
Befas m’u shfaqën tërë ato personazhe si në Breznitë e Hankonatëve. Në çastin kur ai gjendej Përballë pasqyrës së një gruaje, desha t’i dhoroj disa Lule të ftohta marsi, mirëpo atij iu dukën si Qorfermane. Më tha se kjo ishte Kamarja e turpit. I thash se kam bërë tërë atë rrugë për t’ju treguar se Kush e solli Doruntinën. Madje, rrugës tek po vija, aty te Ura me tri harqe, takova Gjeneralin e një ushtrie të vdekur. Menjëherë, me Gjakftohtësi, fillova t’i këndoj Tri këngë zie për Kosovën. Në atë çast, tek po zhvillonim Bisedë mes grilash, u afrua te dritarja në qelqin e së cilës kishin rënë ca pika shiu.
Pas pak tha: i shikon ata Hije? Janë Kasnecët e shiut që gjëmojnë vazhdimisht, që më ngjajnë si Sjellësit e fatkeqësisë. A të duket se e bëjnë Dasmën..?
Kjo nuk mund të bëhet kur Krushqit janë të ngrirë…Apo ndonjë Komision feste? Jo jo, ata tregojnë se Prilli u thye nga një Përbindësh. Këtë e kam kuptuar që prej kur kanë filluar të Mendohen këto male, ose më saktësisht, që me Ikjen e Shtërgut. Edhe unë do të ik, nuk mund të jetoj në këtë Qytet pa reklama. Kupton? Ma zënë frymën Mjegullat e Tiranës. Nuk më pëlqen as Qyteti i jugut. Mos u bëj Spiritus, sikur nuk kupton. Për ata që mendojnë se Piramida ndërtohet duke bërë Koncert në fund të dimrit, si të them, është Mosmarrëveshje, është Darkë e gabuar. Ju mendoni se vërtet është Muzgu i perëndive të Stepës..?
Kjo, tha është Kohë barbare.
Aq shumë ishte i mllefosur me arritjet tona sa, mua m’u duk se, sërish për ne ishte kthyer Viti i mbrapshtë.
Pastaj vazhdoi: unë mund të bëj dialog vetëm me Alen Boskeen.
Kur isha më i ri, kisha Ëndërrimet e mia dhe Frymëzimet djaloshare, se, kjo epokë do të jetë Koha e shkrimeve dhe Shekulli im, mirëpo, duke i shikuar gjërat Nga një dhjetor në tjetrin, e kam kuptuar se sa e rëndë është Pesha e kryqit. Nuk kam nevojë për shpërblime(…), mua më mjafton Emblema e dikurshme.
Nuk më pëlqente që ky takim të jetë një Stinë e mërzitshme në Olimp, as si ajo E Penguara, por një kënaqësi joshëse si ato të Pashallëqeve të mëdha…
Dola nga ai Pallat madhështor krenar por edhe thellë i dëshpëruar. Në kokë më silleshin herë Motive me diell, herë Ëndrra mashtruese. Duke aluduar në Shpërblimin Nobël dhe padrejtësitë që i bëhen, thash një fjali që ngatërrohej nëpër dhëmbët e shtërnguar si Migjeni, ose uragani i ndërprerë: Ismaili, ky “humbës” i madh.
Nuk më mbetej tjetër pos të pyes me zë të lartë: a ka kush që e shkruan Autobiografinë e Kadaresë në vargje?
Sepse, ky është Legjenda e Legjendave.