Rruga nga Gjermania përmes kufirit të gjelbër për në Danimarkë do të vështirësohet së shpejti.
Sepse qeveria e Danimarkës do të ndërtojë një gardh prej 70 kilometrash, si mbrojtje nga murtaja afrikane e derrave.
Politikë pa kuptim apo mbrojtje e vërtetë? Mendimet janë të ndryshme për gardhin, të cilin Danimarka do ta ndërtojë muajt e ardhshëm përgjatë kufirit me Gjermaninë, si mbrojtje nga nga murtaja afrikane e derrave (ASP)
. Pavarësisht nga kjo, këtë të hënë u ngul në tokë në Padborg në veriperëndim të Flensburgut trari i parë, siç bëri të ditur autoriteti kompetent Naturstyrelse. Gardhi i gjatë prej 70 kilometrash dhe i lartë një metër e gjysëm do të përfundojë gjatë këtij viti – duke siguruar në këtë mënyrë të gjithë kufirin tokësor midis Danimarkës dhe Gjermanisë.
Kjo sëmundje që nuk e dëmton njeriun aktualisht është shpërndarë në Evropën Lindore, në vjeshtë u bënë të njohura raste të murtajës së derrave te derrat e egër në Belgjikë.
Deri tani Gjermania ka mbetur e paprekur. Vërtet që edhe Republika Federale po përgatitet për rastin e epidemisë – me ushtrime dhe me kontrolle higjenike. Por për dobinë e një gardhi të ngritur në mënyrë parandaluese ka shumë dyshime.
Njeriu si faktor rreziku
Ministri i Mjedisit dhe i Bujqësisë i landit të Shlesvig-Holshtajnit, Jan Philipp Albrecht (Të Gjelbrit), theksoi që virusi përhapet para së gjithash përmes njerëzve – me transportet e kafshëve, gjuetitë ose ushqimet e infektuara.
Edhe Instituti Federal i Kërkimeve për Shëndetin e Kafshëve, Instituti-Friedrich-Loeffler, nuk e konsideron të madh rrezikun e transmetimit të epidemive të kafshëve përmes derrave të egër. “Faktori më i madh i rrezikut” është njeriu, theksoi zëdhënësja e FLI.
Rritja e derrave është tepër e rëndësishme për Danimarkën. Sipas shifrave zyrtare, fshatarët danezë eksportuan në 2016 derra me një vlerë katër miliardë euro, një e treta e tyre në shtete jashtë Bashkimit Evropian.(DW)